Posta deklarohet lidhur me rastin e ish postierit “dembel” që u arrestua dje
Posta e Kosovës është sqaruar lidhur me rastin e ish postierit me inicialet M.B, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për mosdorëzim të disa dërgesave postare tek palët e adresuara.
Sipas njoftimit, me të marrë informatat e para nga Drejtoria Operative e Postës së Kosovës, se ish postieri në fjalë nuk po e kryen si duhet detyrat dhe përgjegjësitë e tij edhe pas marrjes së masave disiplinore paraprake, menjëherë për këtë rast është angazhuar Inspektorati i ndërmarrjes.
“Pasi inspektorati zbulon dhe konstaton keqpërdorimet e ish postierit M.B, ndaj tij janë marr masat ligjore sipas ligjeve në fuqi me largim nga puna, ndërsa departamenti ligjor i ndërmarrjes e ka iniciuar rastin në Polici dhe në Prokurori”, thuhet në komunikatën për media.
“Posta e Kosovës nuk lejon që t’i dëmtohet imazhi i saj nga ata që keqpërdorin detyrat e tyre të punës, ndërsa është e përkushtuar maksimalisht të shërbejë me dinjitet e besueshmëri ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, sipas policisë, në total ishin 2026 dërgesa të ndryshme të pa dorëzuara që i dyshuari kishte obligim ti dorëzonte tek palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare./SHQIP.com