Lajme

Pacolli thotë se më parë kishte zgjidhje për krizën energjetike, por askush nuk e përkrahu

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, thotë se më parë kishte dhënë idenë e ndërtimit të një termocentrali që do të prodhonte energji elektrike, por që askush nuk e përkrahu, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas krizës energjetike që është aktualisht prezente në vend.

Lexo edhe:
Kurti: Do të ndajmë një shumë për mbulimin e importit të energjisë

Sipas Pacollit, në kohën kur ai kishte dhënë idenë e ndërtimit të termocentralit, kishte investitorë potencialë, por që ai u akuzua se po dëmtonte resurset e Kosovës.

“Sa e nevojshme do të ishte tani ekzistenca e një termocentrali që do të prodhonte energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse. Unë e kam theksuar këtë dhe kam insistuar që kjo të ndodhë në Kosovë. Në vitin 2007/2009 kemi pasur investitorë potencialë për gazifikimin e linjitit tonë (prodhimi i gazit nga linjiti) dhe më tej ndërtimin e një termocentrali me gaz, prej 550 mgë.

Për këtë propozim në atë kohë më akuzuan hapur se dua të dëmtoj resurset e Kosovës dhe thanë se linjiti është lënda jonë e parë e përhershme.  Askush nuk më besoi se linjiti i pa transformuar nuk mund të përdoret në të ardhmen. Më vjen keq që në atë kohë askush nuk më erdhi në ndihmë për të mundësuar realizimin e këtij projekti, e tani duket se çmimi i energjisë po rritet në mënyrë të pakontrolluar”, shkroi ndër tjerash Pacolli.

Ndërkaq, lidhur me situatën energjetike në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë elektrike.

“Kriza është bërë e papërballueshme. Duke e ndjekur shembullin e shteteve evropiane, Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë furnizimin me energji elektrike dhe ta shmangim rritjen eventuale të çmimeve”, tha Kurti.

Ai tha se për këtë do të kërkojnë nga presidentja, Vjosa Osmani, që t’iu jap autorizimin për të marrë një kredi që të realizohet importi.

Lexo edhe:
Ministrja sërish qytetarëve: Kursene energjinë elektrike

Sipas tij, përpos elementeve të jashtme, në këtë krizë energjetike kanë ndikuar edhe qeveritë e kaluara.

“Ata që e sollën vendin në këtë gjendje të skuqen e mos të na mbajnë leksione”, tha Kurti.

Kurse, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar ndaj qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, duke e pranuar se ka krizë energjetike në vend.

“Fushata e informimit dhe këshillat për kursim kanë filluar të kenë efekt të dukshëm. Fushata ka pasë sukses dhe për këtë i falënderoj qytetarët për hapat e duhur për të minimizuar konsumin e energjisë dhe duke e zhvendosur nga dita në gjatë natës”, tha ajo./SHQIP.com