Lajme

Kurti: Do të ndajmë një shumë për mbulimin e importit të energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës do ta ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë elektrike.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën gjatë një konference për media referuar situatës energjetike të Kosovës.

“Kriza është bërë e papërballueshme. Duke e ndjekur shembullin e shteteve evropiane, Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve”.

“Do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë furnizimin me energji elektrike dhe ta shmangim rritjen eventuale të çmimeve”, tha Kurti.

Për këtë Kurti ka thënë se do të kërkojnë nga presidentja, Vjosa Osmani që t’iu jap autorizimin për të marrë një kredi – që të realizohet importi.

Kurti gjithashtu ka thënë se pos elementeve të jashtme që kanë ndikuar  në këtë krizë energjetike – si faktor tjetër i ka përmendur edhe qeveritë e kaluara.

“Ata që e sollën vendin në këtë gjendje të skuqen e mos të na mbajnë leksione”, tha Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se “për të pasur dritë në çdo kohë e për të gjithë duhet të importojnë”.

Ai theksoi se gjatë dimrit varemi nga importi pasi konsumi është më i lartë si rezultat i ngrohjes.

“E gjithë bota po përballet me një krizë energjetike për shkak të rritjes së çmimeve”, tha Kurti. /SHQIP.COM