Lajme

Osmani kërkon raport me shkrim dhe e thërret në Kosovë për tu sqaruar ambasadorin Berishaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Ambasadori Martin Berishaj një raport lidhur me artikullin në një media në Sllovenia dhe që Berishaj të sqarojë këtë situatë.

Nga Presidenca e Kosovës, bëhet e ditur se pas kësaj së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme do të bëjë një vlerësim.

“Nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Në këtë njoftim gjithashtu është bërë e ditur se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë marrë asnjë informarë nga institucionet e Sllovenisë,

“Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”, është bërë e ditur nga Presidenca.

Gjatë ditës së premte Presidentja Osmani në konferencë për shtyp ka komentuar se përderisa organet e drejtësisë nuk thonë të kundërtën, vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci tashmë ka paralajmëruar dërgimin e rastit tek institucionet e drejtësisë.

Mediat sllovene raportojnë se kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë ku dyshohet për shpëlarje parash, është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në dhjetor të viti 2021./Shqip.com

Lexo edhe:
(Dokument) Berishaj nuk i ka deklaruar aksionet e dy kompanive vendore