Lajme

Osmani: BE-ja na ka zhgënjyer shpesh, në Bruksel po udhëtoj me shpresë por jo me pritje të mëdha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Bruksel për Samitin e BE-së udhëton me shpresë, por jo edhe me pritje të mëdha.

Ajo shpreson që më në fund të marrë Kosova liberalizimin e vizave, e të mos zhgënjehet sërish. Të enjten në Bruksel mbahet Samiti ku raportohet se Kosova mund të marrë lajm pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave.

“Unë gjithmonë shkoj atje me shpresë, por jo me pritje të mëdha. Të shpresojmë të mos jetë një zhgënjim tjetër”, ka thënë Osmani në një intervistë për mediumin holandez “NRC.nl”.

Ajo ka paralajmëruar edhe Ukrainën që të mos ketë pritje të mëdha, pasi jo çdoherë “ajo që premton BE-ja edhe realizohet”.

Ilustrim

“Premtimet e BE-së nuk do të thotë se mbahen. Ne jemi zhgënjyer mjaft shpesh deri më tash”, tha Osmani. “Komisioni Evropian po e kryen punën dhe po shikon nëse kemi plotësuar gjitha kushtet. Parlamenti Evropian po bën thirrje të veprohet. Janë shtetet individuale, që për shkaqe të politikës vendore, po e pengojnë procesin vazhdimisht. Njerëzit nga Ukraina, Gjeorgjia, e shtetet e ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirshëm. Por, mua – si e vetme – më duhet vizë për të udhëtuar në Samitin në Bruksel. Është padrejtësi e madhe: diskriminim kundër popullatës sonë. Po jetojmë në geto”.

Osmani ka thënë se synimi është që Kosova të bëhet kandidate për anëtarësim në BE këtë vit.

Ajo thotë se situata e krijuar me pushtimin rus të Ukrainës ka ndryshuar gjërat.

“Ne jemi të gatshëm dhe e meritojmë plotësisht. Kemi bërë detyrat e shtëpisë”, tha Osmani.

“Shtetet e BE-së duhet të ndalojnë të bëjnë koncesione për të promovuar autokratët e Putinit. BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë se ata që rreshtohen në krah të Moskës nuk kanë vend në familjen evropiane”.

Këshilli Evropian ka bërë publike agjendën e takimit të 23 dhe 24 qershorit, dhe në këtë agjendë nuk është përfshirë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Lexo edhe:
Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk përfshihet në agjendën e së enjtes të Këshillit Evropian

Në këtë agjende është përmendur vetëm çështja e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Mirëpo gjasat që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të diskutohet në Këshillin Evropian janë të mëdhaja, kjo pasi që në njërën prej pikave të agjendës që ndërlidhet me çështjet e politikës së jashtme, thuhet se “në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian mund të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme”.

Në ftesën e dërguar anëtarëve të Këshillit Evropian, presidenti i KE-së Charles Michel ka thënë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka bërë të ditur se me liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohet më 23 qershor, duke filluar nga ora 09:30./Shqip.com