OP-ED Kolumne

Nxitësit e së keqes!

Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Kosova, në këtë periudhë të shkurtër të pasluftës, akoma pa i mbushur plot 23 vjet, është përballur me probleme nga më të ndryshmet: ekonomike, politike, historike, por ajo çka do të lë vragë të gjatë është kultura.

Vjen një pikë dhe e kuptojmë se kultura/leximi është qenësor, jo vetëm për individë, por për një komb, për një gjuhë, për një qytetërim të tërë.

Kryeneçësia e të paditurve na ka “orientuar” në një qorrsokak të rrezikshëm, në një rrugë njëkahëshe, në një tunel pa fund, saqë zgjatja nuk dihet se kur do të ndalet.

Sigurisht, nëse do të investohej në kulturë, do të kishim një përparim më të madh. Një të ardhme më të ndritshme. Të paktën kulturalisht!

Tërbimi i njerëzve të merren me politikë, pa pasur njohuri elementare, është tronditës për një vend. E keqja edhe më e madhe është se i japin hapësirë dhe “kuvendojnë” si të dijshëm (herë-herë duke cituar filozofë e shkrimtarë si njerëz të “pjekur”)!

Deri sa nuk merremi me qenësoren, budallallëku i “njerëzve të ditur” do të “triumfojë”. Ata do të tallen edhe me ata pak njerëz që lexojnë dhe dinë ta dallojnë të mirën nga e keqja, të diturin nga i padituri, mashtrimin nga e vërteta etj., etj.

Në të vërtetë, si popull kemi nevojë për më shumë lexim. Për më shumë kulturë! Për më shumë dije! Aktualisht jemi me një krah të thyer. Nuk guxojmë të mendojmë të na prijnë budallenjtë. Në fakt, sa patetike është që bindjet i “lëmë” të na udhëheqin të tjerët. Kjo është mungesë kulture. Mungesë leximi. Mungesë besimi.

Çdo popull i dalë nga lufta, këtë e kemi të dëshmuar edhe me vende të ndryshe, kalon në faza të ndryshimeve dhe përpjekjeve për një rimëkëmbje të qëndrueshme. E qëndrueshmëria (kokë e këmbë) pa fije dyshimi e them se bëhet në shprehinë e leximit dhe të kulturës në përgjithësi. Për fat të keq (në një mjedis të tillë) nuk ka ndodhur.

Vjen një moment dhe gjerat i shohim edhe përtej “kodrës”. Atmosfera në ambiente të ndryshme (shtëpi, punë, kafene) kalohet pak çaste duke folur e diskutuar për kulturë. Ky është “monumenti” ynë shoqëror! Kjo është “ngritja” jonë! Kjo është arsyeja e gjendjes aktuale, nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri.

Nga ana tjetër, vendi ynë i vogël (e me probleme të mëdha) po përballët me lloj-lloj “shtrigash gjahtare”, duke u përpjekur që secili për vete (dhe të tjerët rreth tij) të përfitojnë në kurriz të të tjerëve (dhe atyre rreth të tjerëve).

Parimisht, të gjithë jemi të barabartë si qytetarë të këtij vendi dhe secili e ka të drejtën e vet të garantuar edhe me kushtetutë. Këtë nuk duhet lejuar të na e shkelë askush!

Mund të imagjinoni një gjë: Na thonë se Kosova është vend i “mundësive” e unë them se mundësitë po ikin si fluturat në shi. Kjo është e barabartë sikur të na vinin pushkën në kokë e të thonë: ju nuk jeni të rrezikuar!

Meqë ra fjala, tingëllon paksa ironike, por me injorantët dhe me ata që nuk ia duan të mirën këtij vendi nuk ecet tutje. Vetëm bashkërisht mund të “luftojmë” për të mirën e përgjithshme. E, kam drojën se ky aktualitet do të zgjasë, që besa edhe do të tejzgjatet.

E them bindshëm dhe argumentueshëm (në këtë mjedis të zihet fryma), por çdo gjë fillon nga hiqi e bëhet fillim i ri.

Krejt në fund, nëse nuk merremi përnjëmend, pa u tallur, pa u përkulur, duke shikuar në objektiv, mund të këtë një përparim. E di që është e vështirë (të grabisësh të kaluarën), sepse kanë “ngecur”, por duhet “shtyrë” mendimet lart. Vetëm duke shikuar “lart” i shohim gjërat më mirë! I shohim gjërat më kthjellët!

Nxitësit e së keqes duhet të ndalen. Nëse jo sot, nesër është vonë!

/Shqip.com