OP-ED Analiza

Misteri i një vizite sa shtetërore aq dhe sekrete e Ramës pas dy ditësh në Paris?

Genc Burimi
Genc Burimi

Publikuar:

Nuk mbahet mend në analet e vizitave diplomatike një sekret i ruajtur kaq mirë.

Ditën e premte 12 prill Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të pritet me ceremoni shtetërore në Pallatin e Elizesë nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Për herë të parë në historinë e dy vendeve, protokolli francez ka parashikuar që dita e të premtes të fillojë me një ceremoni ushtarake të Kryeministrit të Shqipërisë në Oborrin e Nderit te Invalidëve, një pallat gjigant i shekullit të 17 në zemër të Parisit ndërtuar nga Luigji 14 aty ku ndodhet sot varri i Napoleon Bonapartit, dhe ku Franca mban gjithë ceremonitë protokollare ushtarake.

Një ftesë zyrtare është nisur pardje me urgjencë nga shërbimet diplomatike shqiptare në Paris për disa të përzgjedhur nga diaspora dhe për miq të Shqipërisë në Francë për të asistuar në ceremoninë ushtarake për nder të Shqipërisë me praninë e Edi Ramës këtë të premte 12 prill në ora 12 në Pallatin e Invalidëve. Më pas, për kryeministrin Rama do të ketë një ceremoni të dytë zyrtare, kësaj here në Pallatin e Elizesë nga Macron me ftesë të ëe cilit po bëhet kjo pritje kaq ceremoniale, por kaq dhe e papritur.

Ajo që habit në këtë histori është “fshehtësia” e një vizite e cila për nga forma dhe ftesa duhet ta bënte krenar Kryeministrin dhe gjithë popullin shqiptar.

48 orë para kësaj vizite që mund të konsiderohet si historike për nga ana protokollare me ceremoninë ushtarake në Invalides, asnjë media në Tirane nuk është në dijeni! Opozita jo e jo, por as vetë në faqen ëeb të Kryeministrisë nuk gjen më të voglin lajm për këtë vizitë shtetërore në Francë! Rama që bën postime dhe për një rrugicë me asfalt që ndërton, nuk gjeka kohë të mburret me ceremoninë ushtarake që do t’i ofrohet në Paris atij dhe nëpërmjet tij popullit shqiptar? Ka padyshim një mister në këtë mes…

E vërteta është se më datë 8 prill, pra katër ditë para vizitës së Ramës në Paris, u prit nga Macron presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Dhe qe e njëjta ceremoni. Në fillim ajo ushtarake në Pallatin e Invalidëve ku Vuçiç vuri një kurorë dhe më pas ceremonia në Pallatin e  Elizesë dhe darka me Macron. Dallimi është se shtypi serb i bëri jehonë të gjithëanshme kësaj vizite, ndërkohë që autoritetet zyrtare shqiptare e mbajnë gjysëm “sekrete”.

Apo mbase arsyeja e fshehtësisë qëndron te fakti se Rama u bë gati për në Paris në “minutat e fundit” thjeshtë për të balancuar vizitën e Vuçiç, dhe kjo nuk është  shumë e lavdishme për egon e tij. Sigurisht, shërbimet diplomatike mbrojnë me forcë tezën se parimi i kësaj vizite të Ramës në Paris ishte fiksuar kohë më parë, pas vizitës së Macronit në Tiranë. Por fakti është se data fikse e vizitës zyrtare të Ramës në Elize u “improvizua” në castet më të fundit, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që për një eveniment të tillë ftesa zyrtare e ambasadës së Shqipërisë në Francë për të qenë të pranishëm në ceremoninë ushtarake mban datën 8 prill, pra vetëm katër ditë përpara gjë që nuk u le vërtetë kohë të ftuarve të përgatisin axhendat e tyre.

Këtu mund të kërkohet dhe arsyeja e dytë pas asaj të vizitës së njëkohësishme të Vuçiç, pse administrata e Ramës nuk ka komunikuar mbi këtë vizitë nga frika ndoshta se mos diaspora në Paris mobilizohet me pankarta kundra korrupsionit të qeverisë “Rama” siç është parë kohët e fundit me diasporën shqiptare në Londër apo Romë. Pamje të tilla s’mund të bënin efekte të mira para kamerave.

Arsyeja e tretë, mund të jetë dhe mosrespektimi i protokollit. Normalisht në një vizitë shtetërore ftohet Presidenti i Republikës dhe jo Kryeministri.

Sido që të jetë, i takon tani kabinetit te Kryeministrit Rama, t’u japë shpjegime shqiptarëve dhe mediave pse nuk u komunikua normalisht mbi këtë vizite kaq të lartë në Paris por që vjen kaq papritur. Në cdo vend të botës mediat kanë nevojë të lajmërohen kohë përpara në mënyrë që të organizohen edhe ato për mbulimin e një vizite të një kalibri të tillë.

/Shqip.com