Lajme

BE: Për largimin e masave ndëshkuese vendosin vendet anëtare dhe jo politikanët në Kosovë

EEAS
EEAS

Bashkimi Evropian tha të enjten se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është në vullnetin e vendeve anëtare të bllokut dhe jo të përfaqësuesve politik të saj, duke nënvizuar se organizimi i referendumit në veri ishte vetëm një nga kërkesat në këtë proces.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë në qëndrimin se këto masa janë të kthyeshme. Kështu që ato do të largohen në kohën kur vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin dhe jo kur vendosin politikanët e Kosovës. Kur vendet anëtare të vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur këto masa në fuqi, ato do të largohen. Kjo nuk ka ndodhur deri tani dhe vendet anëtare po vazhdojnë diskutimet e tyre, këto janë procese të brendshme”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Deklaratat e zotit Stano ishin kundërpërgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Albin Kurti i cili sot gjatë ditës përsëri u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian për largimin e masave të vendosura gati një vit më parë.

“Ne kemi përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, ku dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.

Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Por, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se referendumi në veri ishte vetëm një nga kërkesat që Bashkimi Evropian ia ka bërë të qarta vazhdimisht Kosovës.

“Kur Bashkimi Evropian vendosi masat ndaj Kosovës, nuk ndodhi vetëm për një arsye, pra kishte një grumbullim të çështjeve, hapave, vendimeve dhe elementeve të cilat shtynë bllokun të marrë këtë vendim shumë të vështirë. Prandaj nuk është në pyetje se çfarë hapash janë ndërmarrë në vetëm një çështje, nuk është që një masë është vendosur për një nga këto zhvillime negative, por kjo lidhet me tërë situatën. Ne duam ta shohim situatën tërësisht të zgjidhur, të dyja palët kanë detyra për të kryer, por në rastin e Kosovës përfaqësuesit e saj janë njoftuar vazhdimisht dhe qartë se cilat janë pritshmëritë e BE-së dhe zgjedhjet kanë qenë vetëm një element”, tha zoti Stano.

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u vendosën në fund të muajit qershor të vitit të kaluar parashohin “pezullimin e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimin e financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike përveç atyre që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”. /VOA

/Shqip.com