Lajme

Menaxhim efikas nga “Kastrati Group”, aeroporti i Rinasit thyen rekord, rritet numri i udhëtarëve me 233% krahasuar me vitin 2019

Transporti ajror në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta, pas pandemisë së Covid 19. Sipas statistikave, Shqipëria është vendi i parë në botë, me performancën më të mirë sa i përket numrit të pasagjerëve. Në renditjen e “Airport Council International” për muajin mars, vendi ynë kryeson listën me 233.3 për qind më shumë se viti 2019.

Shqip.com

Shqipëria vazhdon të thyejë rekorde të reja sa i takon numri të pasagjerëve që udhëtojnë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit i menaxhuar nga “Kastrati Group”. Si në muajin shkurt ashtu edhe në mars vendi ynë vazhdon të jetë në krye të klasifikimit ndërkombëtar i cili krahason shifrat e transportit ajror me numrat para pandemisë. Shqipëria rezulton sërish me rritjen më të lartë dhe rezulton të ketë 233.3% më shumë udhëtarë se në vitin 2019. Vlera për marsin ishte më e lartë se 227.9% e muajit shkurt.

Shifrat i publikoi vetë kryeministri Edi Rama që shkruan: “Ja edhe klasifikimi ndërkombëtar i marsit për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri krahasuar me numrat e vitit 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.

Dhe e para, ata që thonë se janë shqiptarët që i mbushin avionët jo turistët, nuk duhet të harrojnë se edhe sikur të jetë kështu, ky është një lajm fantastik, sepse do të thotë që kanë shumë më tepër dëshirë të vijnë në Shqipëri, ndërkohë edhe çmimet e biletave janë ulur ndjeshëm falë shtimit të linjave ajrore. Por nuk është tamam kështu, sepse shifrat e të huajve që vijnë në Shqipëri flasin vetë, siç flet rritja marrëmendëse e dhënies së apartamenteve me qera për të huajt apo kërkesave për hotele.

E dyta, ata që thonë se s’na duhen turistët se ata vijnë për qejf, ne duam këtë e atë, nuk duhet ta harrojnë se qejfi i turistëve kushton dhe fitimet nga shpenzimet e tyre për qejf i marrin shqiptarët që punojnë, prodhojnë, shesin, shërbejnë e me radhë, ndërkohë që pjesa e të ardhurave për shtetin nga rritja e aktivitetit ekonomik të kësaj industrie, investohet për të rritur pagat e investimet”.

Kryeministri e quan këtë një arritje të Shqipërisë sepse të gjithë turistët që vijnë për ta vizituar duke u shtuar muaj pas muaji me këto ritme, i bëjnë jehonë pozitive vendit tonë kur kthehen në atdheun e tyre.

“Prandaj kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast”, vijon më tej kryeministri.

Në tre vitet e fundit “Kastrati Group” ka arritur të realizojë rreth 85% të investimeve që ishin parashikuar të kryeshin deri në vitin 2040 dhe mbi të gjitha dhe shumë investime të reja për të përballuar fluksin e lartë të pasagjerëve në “Tirana International Airport”. Porta hyrëse kryesore ajrore në Shqipëri, aeroporti i Rinasit po përgatitet sakaq për një sezon turistik intensiv dhe parashikimet janë vendi do tejkalojë shifrat e vitit të kaluar me 10 mln turistë brenda 12 muajve të 2023-shit.

/Shqip.com