Lajme

Mustafi: Do të vazhdojmë luftën politike për legalizimin e simboleve kombëtare

kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka thënë se ata do ta vazhdojnë betejën juridike dhe politike për legalizimin e simboleve kombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafi ka thënë se ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti

“Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare.  Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime”, shkroi Mustafi.

Tutje, Mustafi tha se simbolet kombëtare nuk duhet ndryshuar, por janë ligjet ato që duhet ndryshuar.

“Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar! Janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar! Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!  Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë”.

Sot, shënohet 110 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë të shpallur nga Ismail Qemaili në Vlorë në vitin 1912.

Po ashtu, sot u mbushën 25 vjet që nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Skenderajit në krye me komandantin Adem Jasharin i cili kishte lindur në po të njëjtën dite.

Kujtojmë se në nder të festës kombëtare, dje Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se 28 Nëntori mbanë në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive.

Dy kryekuvendarët shqiptarë mbajnë fjalimet e tyre në mbledhjen e përbashkët – SHQIP.com

Konjufca potencoi se Nëntori është i Shqipërisë po aq sa është edhe i Kosovës.

Ndërsa, kryekuvendarja shqiptare, Lindita Nikolla tha se kjo mbledhje shënon rikonfirmimin e thirrjes shpirtërore të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë.

Ajo potencoi se mënyra e të menduarit të shqiptarëve duhet të ndryshojë në bazë të realitetit në të cilin ndodhen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte.

Mbledhja e kuvendeve shqiptare, Kurti e Rama mbajnë fjalimet e tyre – SHQIP.com

Në këtë mbledhje, Kurti citoi edhe fjalë nga profesori dhe politologu Kosovar, Ukshin Hoti.

“Ai kërkoi nga politikanët shqiptarë që të kenë si prioritet kryesor pozitën  ndërkombëtare të Kosovës e të Shqipërisë dhe jo pozitën vetjake”, tha Kurti.

Kurse, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se nuk beson që shqiptarët janë mirë në raport me vetën e tyre.

/Shqip.com