Lajme

Mustafa: Opozita s’duhet të presë që Kurti të rrëzohet por ta rrëzojnë

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryetari i LDK-së e po ashtu ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se opozita nuk duhet të presë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të rrëzohet por që ata vetë ta rrëzojnë këtë.

Sipas Mustafës opozita ka mjaftë argumente për ta rrëzuar atë.

Ish-kreu i LDK-së, thotë se Kurti nuk ka mbajtur premtimet e fushatës.

“Unë nuk shoh ndonjë ndryshim thelbësor në pikëpamje të qeverisjes. Shoh vetëm mungesë të realizimit të premtimeve, të cilat zoti Kurti ka dhënë gjatë fushatave, por edhe më parë si parti opozitare në krye të Vetëvendosjes”, ka thënë Mustafa.

Gjithashtu, Mustafa thekson se Kosova ka ngecur në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me partnerët strategjikë.

Mustafa ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Sipas Mustafës, Kosova nuk ka rrezik nga krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Jo, unë jam dakord që të themelohet sepse ajo çfarë është në marrëveshjen e parë dhe ajo që ka shqyrtuar Gjykata Kushtetuese ofron mundësi që ai asociacion të themelohet dhe mos ta prekë fare, rendin kushtetues të Kosovës”, ka thënë Mustafa, në Syri TV.

Mustafa thotë se përkundër që tashmë nuk është pjesë e LDK-së, ai ka raporte të mira me strukturën e LDK-së.

/Shqip.com