Lajme

Musliu: Osmani nuk duron konkurrente gra në politikë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se udhëheqja e Partisë “Guxo” me dy kryetarë është një zgjedhje qesharake.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu tha se kjo është një lojë e Vjosa Osmanit me Donika Gërvallën.

“Loja e Vjosës me Donikën. Lista GUXO mbajti “zgjedhjet” e brendshme, nëse ky proces mund të quhet “zgjedhje”. Dhe në fund nga këto “zgjedhje” na doli një rezultat sa qesharak po aq edhe domethënës për themeluesen e “GUXO””, shkroi Musliu.

Sipas Musliut, Vjosa Osmani nuk do të lejojë Donikës kurrë që të bëhët faktori konkurrues brenda grupit të tyre.

“Donika Gervalla dhe Faton Peci morën numër të barabartë votash. Ata që e njohin mirë Vjosa Osmanin dhe viktimizimet e saj ndër vite e dijnë shumë mirë se ajo nuk do t’ia lejojë kurrë Donikës të bëhet faktor konkurrues brenda grupit të tyre. Njejtë po e minojnë edhe si ministre Vjosa bashkë me Prindonin”.

Tutje, Musliu tha se Osmani nuk duron konkurrente gran ë politikë dhe Gërvalla po bëhët vegël e saj.

“Nëse Donika nuk e ka të qartë faktin që Vjosa nuk duron gra konkurrente në politikë atëherë kjo Donikë, biografia e së cilës nuk është gjë tjetër veçse një apel në emër të Jusuf Gërvallës, për interesa personale po bëhet vegël e Vjosës në kauzat e saj antikombëtare dhe kundër avancimit të Grave”.

Kujtojmë se Partia Guxo ka mbajtur kuvendin e saj zgjedhor në të cilin janë zgjedhur dy kryetar të kësaj partie.

Siç ka raportuar RTK, Faton Peci dhe Donika Gërvalla u votuan me 373 vota pro, me 23 kundër dhe asnjë abstenim.

Para procesit të votimit, Donika Gërvalla ka thënë se kjo parti solli një frymë të re në spektrin politik.

Gërvalla tha se pa guximin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, historia e Kosovës do të dukej ndryshe.

Kurse, Peci tha se do të jenë në skenën politike edhe në procese të tjera zgjedhore.

“Guxo nuk vetmjaftohet me kontributin e 14 shkurtit, ne besojmë që do të jemi në skenën politike edhe në proceset e ardhshme zgjedhore, një armë e fortë dhe e pëlqyeshme si dhe do të jemi kontribuues i vijimësisë”

Kurse, kryeministri i Kosovës kishte thënë se bashkimi me këtë parti ju kishte sjellur fitoren në zgjedhjet e fundit në Kosovë./Shqip.com