Lajme

MPJD: Të dyshuarit për lidhje me Hezbollahun nuk janë shtetas të Kosovës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka hedhur poshtë raportimet në media se personat të cilët u sanksionuan për lidhje të dyshuara me Hezbollahun, janë shtetas të Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 27 tetorit, mori vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë personave dhe një kompanie, të lidhur me organizatën terroriste Hezbollah.

Lexo edhe:
Qeveria vendos sanksione ndaj shtatë personave dhe një kompanie të lidhur me një organizatë terroriste

Sipas MPJD-së, masat e vendosura demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleat i rëndësishëm, dhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.

Luftëtarët e Hezbollahut mbajnë flamuj ndërsa marrin pjesë në memorialin e udhëheqësit të tyre të vrarë Sheik Abbas al-Mousawi (Burimi: AP)

Në mbledhjen e qeverisë, zëvendëskryeministrja dhe kryediplomatja u shpreh se një vendim i tillë kontribuon në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç ka thënë ajo, sanksionet vendosen “konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Lexo edhe:
“AP” shkruan për vendimin e Kosovës për sanksionimin e shtatë personave dhe një kompanie që ka lidhje me Hezbollahun

Më 23 qershor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah është një grup shiit i Libanit, i themeluar në vitet e 80-ta. Më herët është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera perëndimore.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si udhëzues politik dhe shpirtëror./SHQIP.com