Lajme

“AP” shkruan për vendimin e Kosovës për sanksionimin e shtatë personave dhe një kompanie që ka lidhje me Hezbollahun

Luftëtarët e Hezbollahut mbajnë flamuj ndërsa marrin pjesë në memorialin e udhëheqësit të tyre të vrarë Sheik Abbas al-Mousawi (Burimi: AP)

Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve “Associated Press” ka shkruar për vendimin e Kosovës që t’i vendosë sanksione shtatë personave dhe një kompanie, të lidhur me organizatën terroriste Hezbollah, përcjell Shqip.com.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u shpreh se një vendim i tillë kontribuon në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

AP shkruan se vendimi ishte në përputhje me sanksionet që SHBA-ja ka vendosur ndaj Hezbollahut, një fraksion i fuqishëm shiit që mban vende në Parlamentin e Libanit.

“Në një deklaratë thuhet se shtatë personave dhe kompanisë ‘AID Properties’ u ngrinë asetet e tyre. Të shtatë nuk mund të largohen nga vendi dhe as të marrin para nga individë apo kompani të tjera nga Kosova”, thuhet në artikullin e agjencisë.

As Libani dhe as Palestina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall shtet në vitin 2008.

Kosova vendosi lidhje diplomatike me Izraelin në fillim të këtij viti pas një samiti Kosovë-Serbi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020. Një muaj më vonë ajo hapi ambasadën e saj në Jerusalem, vendi i parë evropian me shumicë myslimane që e bëri këtë, pas SHBA-së dhe Guatemala. Shumica e ambasadave ndërkombëtare janë në Tel Aviv.

Çfarë është Hezbollahu?

Hezbollahu ka pushtet të rëndësishëm në Liban, ku vepron si një parti politike shiite dhe si grup militant.

Ajo kundërshton Izraelin dhe fuqitë perëndimore që veprojnë në Lindjen e Mesme dhe funksionon si një përfaqësues i Iranit, përfituesi i tij më i madh.

Përvoja ushtarake e fituar nga luftimet në luftën civile të Sirisë dhe dekada të përleshjeve me Izraelin e kanë bërë grupin e mbështetur nga Irani më të fortë se kurrë, por kërcënimi më i madh me të cilin përballet mund të jetë trazirat në oborrin e shtëpisë së tij./SHQIP.com