Lajme

MINT: Naftëtarët nuk mund ta shuajnë veprimtarinë vetëm pse janë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka paralajmëruar mbylljen të gjitha pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës, nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre.

Sipas dokumentit të siguruar nga SHQIP.com, vendimi për mbylljen e pikave të derivateve mund të vie në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre e që janë: ” vazhdimi i ekonominë së tregut të lirë. Në rast se kjo kërkesë nuk plotësohet, atëherë kjo Shoqatë kërkon nga Qeveria që marzha e fitimit të caktohet 3 për qind për shitje me shumicë dhe 12 për qind për shitje me pakicë”.

Lexo edhe:
(Dokument) Shoqata e naftëtarëve me kërkesa ndaj Qeverisë, paralajmërojnë mbylljen e pikave të derivateve

Për këtë çështje, një zyrtar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë për SHQIP.com se kjo Shoqatë nuk ka arsye për t’i mbyllur pompat e derivateve në Kosovë.

Sipas zyrtarit të MINT, vendimi i naftëtarëve për t’i mbyllur pikat e derivateve mund të sjellë pasoja.

“Nuk kanë arsye për t’i mbyllur pompat e derivateve. Shoqata e Naftëtarëve duhet të veprojë sipas ligjit. Nëse kanë arsye për të protestuar, e kanë të drejtën e tyre por natyrisht se nuk munden me e shu veprimtarinë vetëm pse janë të pakënaqur me nje vendim të Qeverisë. Vendim i tyre për t’i mbyllur pompat, ka pasoja”.

Nga kjo ministri thonë se vendimi i Qeverisë do të jetë i favorshëm si për naftëtarët ashtu edhe për qytetarët.

“Kurse ne si Qeveri do të kujdesemi që vendimi ynë të mos i sjellë ata (naftëtarët) në atë nivel ku për shkaqe komerciale tregtare duhet ta mbyllin veprimtarinë. MINT nuk do të marrë vendim për ta pamundësuar operimin e pompave të derivateve. Do të marrim vendim ku lejohet operimi por sigurohet që nuk ka fitim mbi kurrizin e qytetarëve”.

Lexo edhe:
MINT nis përgatitjen e një vendimi për rregullimin e çmimit të naftës

Aktualisht, çmimi i naftës në disa pika në Kosovë ka pësuar rritje – 1.80 cent për litër.

Çmimi i derivateve të naftës në njërën prej pompave në Kosovë (09.06.2022)

Nga MINT janë deklaruar edhe rreth rastit ku në njërën prej kompanive të derivateve në Kosovë ishte gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh në kilogram, që tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.

“Për cilësinë e naftës ka pas disa gjetje shumë shqetësuese kohëve të fundit, siç është ai i 77.4 miligramësh në kilogram. Pasi ka hyrë në fuqi ligji i ri i cili na ka mundësuar të kontrollojmë edhe aty ku nuk na është lejuar qasja më herët. Kanë nis shumë procedura në gjykatë”.

Për këtë rast, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari ishte deklaruar në konferencë për media.

Me udhëzimin administrativ për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë lejohet vetëm importi i derivateve të naftës me sulfur deri në 10 mg/kg./Shqip.com