Lajme

(Dokument) Shoqata e Naftëtarëve me kërkesa ndaj Qeverisë, paralajmërojnë mbylljen e pikave të derivateve

Ilustrim
Ilustrim

Naftëtarët janë mbledhur në Odën Ekonomike të Kosovës për të shqyrtuar gjendjen e krijuar pas ngritjes së çmimeve enorme të karburanteve në vend.

Takimi i cili po udhëhiqet nga kryetari i shoqatës, Fadil Berjani është i mbyllur për media.

Ndërkohë, në këtë takim po diskutohet edhe paralajmërimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

Në dokumentin e siguruar nga SHQIP.com, Shoqata e Naftëtarëve kërkon që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë. Në rast se kjo kërkesë nuk plotësohet, atëherë kjo Shoqatë kërkon nga Qeveria që marzha e fitimit të caktohet 3 për qind për shitje me shumicë dhe 12 për qind për shitje me pakicë.

Në rast se asnjëra nga kërkesat nuk plotësohet, atëherë paralajmëron mbylljen e pikave të derivateve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë për SHQIP.com se shpreson që kryeministri Albin Kurti t’i marrë parasysh kërkesat e naftëtarëve, në mënyrë që të parandalohet ngritja në protesta.

“Nuk do të vjen puna deri te protesta sepse shpresoj dhe besoj që kryeministri Albin kurti do t’i merr parasysh kërkesat tona se ai vendim është i dëmshëm dhe falimenton shumë pika karburanti”, tha ai.

Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.

MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri.

Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut./Shqip.com