Ministria e Shëndetësisë hesht përball shitjes së jashtëligjshme të barnave

Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të heshtë përball shitjes së jashtëligjshme të medikamenteve qetësuese nga barnatoret në vend.
Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga kjo ministri lidhur me vlerësimin e situatës së shitjes së medikamenteve si morfina, lexeliumi, bensedini e diazepani nga barnatoret pa recetë të mjekut.
Por, pas afër një javë pritje, të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje se çfarë hapa do të ndërmarrin.
Shqip.com përmes emisionit “n ‘Shënjestër”, ka shpërfaqur “tregun e sëmurë” farmaceutik, kur barnatoret pranonin të shisnin medikamente qetësuese pa ofruar asnjë dëshmi se ilaçet në fjalë janë përshkruar nga mjek.
Si rezultat i këtyre veprimeve, Klinika e Psikiatrisë tregon se është rritur numri i pacientëve që kërkojnë trajtim nga varësia ndaj këtyre medikamenteve.
Përkundër se situata ka arritur në këtë nivel, Inspektorati Farmaceutik nuk kishte shqiptuar asnjë gjobë të vetme ndaj barnatoreve.
Sipas ligjit, përveç gjobës barnatoreve mund t’u hiqet edhe licenca./Shqip.com