Ekonomi

Mijëra euro gjoba nga ATK, sfidë mbetet numri i madh i bizneseve të pafiskalizuara

Inspektorët e ATK-së kanë dhënë numër të dënimeve ndaj bizneseve që nuk kanë arka fiskale.

Deri më tani, gjatë këtij viti, janë shqiptuar numër i madh i gjobave, vlera e të cilave arrin në rreth 60 mijë euro.

“Administrata Tatimore e Kosovës vazhdimisht zhvillon aktivitete në monitorimin e procesit të fiskalizimit. Për periudhën referuese janar-tetor 2022, janë zhvilluar 1,093 vizita për pajisje me arka fiskale, ku si rezultat janë lëshuar gjoba në vlerë 59,750 euro”, kanë thënë zyrtarë të ATK-së për Shqip.com.

Dënime të shumta janë dhënë edhe për bizneset që nuk kanë printuar kuponë fiskal.

Deri në 2000 euro gjoba për një biznes që nuk shpërndan kuponë fiskal

“Gjoba për mos lëshim të kuponit fiskal, nis nga 125 euro deri në 2000 euro. Kemi hasur në raste kur mos printimi i kuponit fiskal është përsëritur nga ana e bizneseve dhe kemi vazhduar sipas dispozitave ligjore”, kanë deklaruar nga ATK.

Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, kanë thënë se procesi i fiskalizimit duhet të përshtatet me zhvillimet teknologjike.

“Për fiskalizimin është bërë progres, por që duhet bërë edhe në kuptim të inovacionit dhe kohës”, ka thënë fillimisht kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

“Me ATK-në jemi në komunikim të vazhdueshëm, jemi duke parë se ku mund të avancojmë në kontrolle, por pa e dëmtuar biznesin. Ka pasur asistencë teknike nga FMN që kjo çështje të trajtohet në përputhje me praktikat më të mira”, shtoi tutje Rafuna.

Por, numri i bizneseve që nuk janë fiskalizuar në Kosovë është mjaftë i madh. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka evidentuar 13,656 biznese të pafiskalizuara.

“Ne kemi vërejtur që përkundër përpjekjeve të bëra nga ATK, fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve mbetet ende sfidë. Pjesën më të madhe të tyre prej 9,794 bizneseve apo rreth 72%, e përbëjnë mikro-bizneset me qarkullim vjetor deri në 5 mijë euro”, thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas ZKA-së, mospajisja e tatimpaguesve me arka fiskale, e rrit rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike, si dhe mundësinë e evazionit tatimor.

Në raportin e Komisionit Evropian, Kosova ka bërë disa përparime në kriteret ekonomike dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale.

Megjithatë, sfidat strukturore të gjata, të tilla si ekonomia joformale e përhapur, përhapja e lartë e korrupsionit dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit, vazhdojnë të pengojnë sektorin privat.

/Shqip.com