Lajme

Miftaraj: Prokuroria Speciale s’është mjaftueshëm e pavarur dhe e paanshme t’i hetojë audioincizimet

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj

Njohësi i çështjeve ligjore, njëherësh edhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se nuk beson se Prokuroria Speciale është mjaftueshëm e pavarur dhe e paanshme, në rastin e hetimit të audio—incizimeve të publikuara nga Gazeta Online Shqip.com që nga e premtja e 30 korrikut.

Ai thotë se si IKD e shohin si shqetësuese faktin që vetë kryeprokurori Aleksandër Lumezi deklaroi se këtë rast do t’ia lë në dorë Prokurorisë Speciale, pasi që nuk dihet nëse kjo prokurori nuk është në direktivat e Lumezit që në fund hetimi të përfundojë ashtu sikurse ka përfunduar për rastin e provimit të jurisprudencës – rast ky i hetuar nga ish-këshilltari i tij, tashmë kryeprokuror i Speciales, Kujtim Munishi.

“Mbrëmë apo parmbrëmë kur doli vetë kryeprokurori Lumezi në publik dhe tha se do të bëjë një veprim të duhur që këtë rast ta marrë Prokuroria Speciale, por ne si IKD e shohim si shqetësuese edhe pse Prokuroria Speciale ka kompetencë për ta marrë këtë rast në kompetencë, por ne si IKD nuk është që i falim besimin apo nuk mund të besojmë se kjo Prokurori është mjaftueshëm e pavarur, është mjaftueshëm e paanshme ose së paku nuk është nën direktivat e z.Lumezi që në fund pastaj të përfundojë ky hetim sikurse ka përfunduar edhe hetimi për rastin e provimit të jurisprudencës kur rastin e tij e hetoi në atë kohë, ish-këshilltari i tij, kryeprokurori i tashëm, z.Kujtim Munishi”, u shpreh ai në “Interaktiv’ të KTV-së.

Miftaraj thotë se ajo çfarë është parë gjatë ditëve të fundit është një skandal që në një shtet normal nuk do të duhej të ndodhte, meqë është në kundërshtim me parimet bazë të një sistemi gjyqësor prokurorial.

“Kjo çka kemi parë në shtatë ditët e fundit është një skandal që në një shtet normal nuk do të duhej të ndodhte, është në kundërshtim me parimet bazë të një sistemi gjyqësor prokurorial”.

Sipas tij, shqetësues është fakti se si prokurorë e kryeprokurorë të shtetit lehtësisht flasin për raste me persona të caktuar – fenomen ky që Miftaraj thotë se ka filluar nga viti 2014-15.

“Çka e bën më shqetësuese është fakti që prokurorë, kryeprokurori i shtetit, drejtorë të agjencive të pavarura, sa lehtësisht lejojnë që të kenë komunikime, të flasin për raste me persona të tillë. Andaj kjo nuk është diçka që ka ndodhur dje, është fenomen që lirisht mund të themi se ka filluar në vitin 2014-2015 – pra në këto vite është gjeneza kur ka filluar kapja e institucioneve të pavarura dhe fatkeqësisht gjatë këtyre viteve e kam parë edhe personalisht sa kam qenë pjesë e Këshillit Prokurorial”, tha ai.

Për mos-reagimin e asnjë shoqërie civile pasi dolën përgjimet, Miftaraj thotë se nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ndonjë organizatë.

‘’Nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ndonjë organizatë joqeveritare. IKD-ja me ‘’Betimin për Drejtësi’’ ka raportuar nga dita e parë. E kemi trajtuar me seriozitet këtë çështje. Mund të themi që jemi e vetmja organizatë joqeveritare që kemi folur për të gjitha mediat’’, potencoi ai.

Lumezi e pranoi se ka biseduar në telefon me një person me emrin Halit Sahitaj, audio-incizimet e të cilit u publikuan nga Shqip.com.

Në bisedën telefonike të siguruar nga Shqip.com, të publikuar më 4 gusht, mësohet se gjykatësi i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i kishte premtuar Sahitajt se do të bisedojë me Lumezin për rastin e tij dhe gjithashtu e kishte konfirmuar se ka pasur një bisedë mes Sahitajt e Lumezit.

Por, sipas këtij të fundit, qëllimi s’ka qenë te një veturë (për të cilën flitet në biseda), sepse kjo e fundit tha se i është kthyer autoriteteve gjermane para se të ndodhte biseda mes tyre.

“Qëllimi ka qenë të na shantazhojë”, deklaroi Lumezi të enjten mbrëma.

Pas publikimeve të Shqip.com, deri më tani është shkarkuar drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, ka filluar proces hetimor për prokuroren Shemsije Asllani dhe gjithashtu vetë Lumezi ka konfirmuar se hetimet për gjithë rastin do të bëhen nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, gjyqtari Driton Muharremi, të premten ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike. /Shqip.com