Lajme

Miftaraj e cilëson skandaloz mandatin e Lumezit në pozitën e kryeprokurorit

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e ka cilësuar si skandaloz mandatin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përcjell Shqip.com.

Miftaraj deklaroi se “shkatërrimi” i Sistemit Prokurorial të Kosovës filloi me vazhdimin e mandatit të tre anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjë që thotë ishte e kundërligjshme.

“Për qytetarët për juristët mund të themi se fillet e shkatërrimit kishin filluar në 2015 me vazhdimin e mandatit të tre anëtarëve të KPK-së në mënyrë të kundërligjshme.

Në atë kohë kishim dy opinione, dy këshilla me shkrim nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e Bashkimit Evropian ku kish qenë informuar KPK-në që nuk mund të vazhdohet mandati i këtyre anëtarëve sepse përbënte jo vetëm shkelje ligjore por edhe shkelje të dispozitave, parimeve kushtetuese që garantojnë integritetin dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Kosovës”, tha ai në RTV Dukagjini.

Tutje, ai e ka cilësuar si skandal edhe shkarkimin e “kundërligjshëm” të anëtarit të KPK-së që vinte nga shoqëria civile në vitin 2016.

Sipas Miftarajt, gjatë këtij mandati, anëtarët e KPK-së krejt çka kanë punuar ka qenë që t’i ofrojnë vetes imunitet dhe të injorojnë shoqërinë civile.

Ndërkaq, sa i përket kryeprokurorit të ri, ai deklaroi se do të emërohet një nga prokurorët që punon në Prishtinë dhe që ka qenë i afërt me Lumezin.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ka marrë vendim për të shpallur konkurs për emërimin e Kryprokurorit të Shtetit.

Kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022.

Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.

Ndryshe, Shqip.com në korrik të vitit 2021 kishte publikuar disa audio-incizime që e involvojnë atë në një skandal ku disa zyrtarë të drejtësisë tentonin të ndërhynin në një rast.

Përfshirjen e tij e kishte ekspozuar më pas edhe vetë Lumezi, ku në një paraqitje përmes telefonit në emisionin Debat Plus në Radio Televizionin Dukagjini, kishte thënë që me personin në fjalë, i cili sipas Lumezit, provonte ta shantazhonte, e kishte vënë në kontakt pikërisht Muharremi.

Sipas KPK-së, Lumezi lakohet nga të tjerët, por nuk është vetë i përfshirë, paçka se përfshirja dokumentohet në publikimet e Shqip.com dhe gjithashtu Lumezi vetë e pati pranuar bisedën.

Por, Jetish Maloku, Kryesuesi i KPK-së, në konferencën e fundvitit këtë të enjte, ka deklaruar se “nuk ka masa disiplinore ndaj tij”.

Madje, Maloku ka shtuar edhe se “nuk mund të ketë”, duke i paraprirë kështu ndonjë vendimi eventual të Prokurorisë Speciale, e cila ende vazhdon hetimet për këtë rast.

“Nuk ka (masa disiplinore ndaj Lumezit) edhe s’ka mundur të ketë”, thotë ai, duke dhënë argumentin se “aty përmenden shumë emra tjerë, por s’ka qenë pjese e asaj që thuhet aty, s’kemi pas arsye”.

Por, përkundër këtyre përfundimeve të KPK-së dhe deklarimit të Malokut se s’ka përfshirje direkte të Lumezit, nga një hulumtim që po përgatit Shqip.com, të dhënat tregojnë se e vërteta mund të jetë ndryshe nga konkludimet e KPK-së.

Informacionet janë se përfshirja e Lumezit ishte e drejtpërdrejtë dhe se nuk ka ekzistuar vetëm një komunikim mes tij dhe një personi të tretë që tentonte zgjidhjen e rastit të tij.

Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./SHQIP.com