Lajme

Mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, a do të diskutohet për takimin e drejtorëve të PK-së me Vuçiqin?

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes do të mblidhet sot për të diskutuar për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës dhe gjyqtarëve në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Anëtari i këtij Komisoni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha për Shqip.com tha se do ta ftojnë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçla.

“Të martën do ta diskutojmë dhe gjithsesi duhet ta ftojmë drejtorin e Policisë së Kosovës ose Ministrin e Punëve të Brendshme”, tha Qalaj.

Sipas njoftimit, mbledhja do të nis në ora 12:30.

Ndërsa, nga Policia e Kosovës për Shqip.com, kanë thënë se rasti është dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radojçiq

Në takimin e mbajtur më 22 mars nga Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, krah tij u pa edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojiçiq.

Radojiçiq i ishte arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.

Policia kishte thënë se arratisja e tij ka ndodhur gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Andaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 24 mars kishte marrë vendim për ta suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të PK-së në këtë takim./Shqip.com