Lajme

KGJK supsendon kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë që mori pjesë në takimin e Vuçiqit

Liljana Stevanoviq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar nga puna kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Ky vendim është marrë gjatës mbledhjes së këtij Këshilli.

“Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në komunikatën e KGJK-së.

Për këtë rast, kishte reaguar ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në një konferencë për media, ajo kishte shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e Stevanoviqit në një takim të tillë.

“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, deklaroi Haxhiu.

Lexo edhe:
Miftaraj: Inicimi i procedurave disiplinore është i pashmangshëm për zyrtarët e Kosovës që morën pjesë në takimin e thirrur nga Vuçiq

Më 23 mars, u raportua se Liljana Stevanoviq kishte marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Përveç Stevanoviq, ishte raportuar se kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri./Shqip.com