Lajme

Drejtorët e policisë në takim me Vuçiqin – të martën mblidhet Komisoni për Siguri

Rashit Qalaj - anëtar i Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes do të mblidhet më 29 mars për të diskutuar për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Anëtari i këtij Komisoni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha për Shqip.com tha se do ta ftojnë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçla.

“Të martën do ta diskutojmë dhe gjithsesi duhet ta ftojmë drejtorin e Policisë së Kosovës ose Ministrin e Punëve të Brendshme”, tha Qalaj.

Në takimin e mbajtur më 22 mars nga Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, krah tij u pa edhe i kërkuari nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për korrupsion, Millan Radojiçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radojçiq

Radojçiq ishte arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.

Policia kishte thënë se arratisja e tij ka ndodhur gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar.

“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.

Ish-drejtori i Policisë, ndër tjerash tha se krerët e PK-së në veri të Kosovës kanë qasje në sistemin e drejtësisë dhe se shpërndarja e informatave në një shtet tjetër, përbën rrezik për vendin.

“Është një çështje shumë serioze për shkak se eprorët e Policisë kanë shkuar e kanë takuar një president, të cilët kanë çasje në sistemin e drejtësisë. Po ashtu, kanë shkuar me qëllimin me marrë instruksione se a me i braktis institucionet e Kosovës apo jo, dhe kjo është një temë që do të trajtohet shumë seriozisht”, përfundoi Qalaj për Shqip.com.

Ndër të tjerë, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Lexo edhe:
KGJK supsendon kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë që mori pjesë në takimin e Vuçiqit

Andaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim për ta suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të PK-së në këtë takim./Shqip.com