Lajme

Mbi 200 mijë të vaksinuar ndaj COVID-19 në Kosovë

Qendër e Vaksinimit - Salla "1 Tetori" në Prishtinë

Mbi 200 mijë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës që nga fillimi i procesit të vaksinimit anti-COVID në Kosovë, njofton Shqip.com.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, qysh prej kur ka filluar procesi i vaksinimit në vend, deri më tani janë dhënë 205 mijë e 884 doza të vaksinës.

Ndërkaq, me dozën e dytë janë vaksinuar 49 mijë e 207 qytetarë.

MSh gjithashtu ka siguruar qytetarët se të gjitha vaksinat kundër COVID-19 të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë javën e kaluar donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.

Kjo komunikatë e ministrisë erdhi pas pretendimeve nga deputeti I Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, se disa vaksina nga ky donacion kanë pasur afat të përdorimit deri më datë 30 qershor.

Të shtunën Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka pranuar 182,000 doza të vaksinës AstraZeneca që janë donacion nga Norvegjia. /Shqip.com