Lajme

MASHTI fton mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër të fillojnë vitin e ri shkollor

Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ftuar mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nesër nga dita e hënë të fillojnë vitin e ri shkollor.

Përmes një komunikate për media, MASHTI, ka thënë se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsim.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit fton të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga nesër, (e hënë, 5 shtator), t’i kthehen punës, duke filluar vitin e ri shkollor. Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MAShTI-n dhe për gjithë shoqërinë”, thuhet në komunikatën e MASHTI-t.

Nga MASHTI thonë se kontributi i mësimdhënësve në arsim është i pazëvëndësueshëm.

“Kontributi i mësimdhënësve në arsim është i pazëvëndësueshëm. Në vitet më të vështira kur shkollat ishin mbyllur, mësimdhënësit nuk u ndalën duke vazhduar punën nëpër shtëpi-shkolla vetëm e vetëm që fëmijëve të mos u ndërpritej shkollimi. Ishin këto vitet e sakrificës, kur në kushte të okupimit, u mobilizua e gjithë popullata në vend dhe në diasporë për të siguruar paga modeste për mësimdhënësit”.

Në këtë komunikatë thuhet se pezullimi i mëtutjeshëm I procesit mësimor paraqet shqetësim serioz si dhe qeverisjet lokale janë duke ju bërë presion shkollave që të mos fillojnë mësimin.

“Në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grupmoshave. Për më tepër, si Ministri e Arsimit kemi indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm tek mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos e filluar puna”

Nga MASHTI, kanë kërkuar që mos ndërhyhet në vendimin e mësuesve lidhur me grevën pasiqë sipas tyre kjo dënohet me ligjet në fuqi.

SBASHK-u është në grevë të përgjithshme duke e pezulluar procesin mësimor në mbarë vendin. Ndërsa shkolla të pakta kanë zgjedhur të mos i përgjigjen thirrjes për grevë por kanë vazhduar procesin mësimor.

Lexo edhe:

SBASHK-u ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati

Ditë më parë, Jasharaj ka thënë se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transferëve, Hekuran Muratit.

Sipas Jasharajt, kjo ka ardhur pas kërcënimeve të Muratit për të ju ndalur pagat grevistëve.

“SBASHK-u e ka përgatitë dhe e ka dorëzu në organin gjegjës në prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit dhe kur të thirrin ai le ti nxjerrë letrat dhe të tregon nëse ka të drejtë që dikujt të ja ndal paratë e tij. Buxheti i Kosovës është edhe me  djersen tonë”, tha Jasharaj.

Sipas Jasharajt, greva do të përfundoj atëherë kur anëtarësia e kërkon si dhe Qeveria i plotëson kërkesat e grevistëve.

Jasharaj tha se nuk kanë pasur zgjedhje tjetër sepse janë refuzuar nga Qeveria për të dialoguar.

“Madje e kemi dërguar edhe ndërmjetësuesin që me na ulë që të bisedojmë dhe kishte ardhë përfundimi që ne udhëheqësit të dorëzohemi të marrim mindilin e bardhë ose të shkojmë me atë që thotë Ligji për Greva për grevë të përgjithshme sepse i kemi harxhuar të gjitha”.

Sipas të parit të grevistëve, greva do të kryhet një ditë por nga kjo situatë dikush do të dal i turpëruar.

“Greva kanë me u kry dikur por dikush ka me u turpëru, dhe ai që do të turpërohet do të jetë Hekuran Murati që po bënë goditje të ulëta dhe po don me na frikësu. Po ashtu, edhe ministrja Nagavci sepse duhet të ishte zëri ynë”.

Sipas Jasharajt ai e i ka kërkuar Nagavcit që kërkesat e tyre të adresohen në Qeveri por kjo e fundit ka refuzuar.

Lexo edhe:

U akuzua se nuk është takuar më përfaqësues nga SBASHK-u, reagon Nagavci

Por, Nagavci ka thënë se sa herë kanë pasur kërkesa nga SBASHK-u ato janë adresuar.

“Sa herë kemi marrë kërkesa nga SBASHK-u i kemi takuar dhe jo vetëm kaq por edhe i kemi adresuar dhe tejkaluar kërkesat e tyre. Vetëm 3 ditë pasi e kam pranuar detyrën, më 26 mars 2021 e kam zhvilluar takimin e parë më përfaqësues të Sindikatës nga të cilët jam informuar për çështje të ndryshme në arsim dhe me vëmendje i kam dëgjuar kërkesat e tyre.

Lexo edhe:

Këshilli i Prindërve: E papranueshme që 1 shtatori t’i gjejë fëmijët në shtëpi, veprim ekstrem sindikal

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi tha se është e papranueshme që 1 shtatori t’i gjejë fëmijët në shtëpi.

Për Shqip.com Demi tha se greva e përgjithshme është veprim ekstrem i sindikatës që i dëmton fëmijët dhe prindërit.

Demi tha se kjo situatë është duke shkaktuar konfuzion tek fëmijët.

Tutje, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës ka thënë se do të presin deri të dielën për të marrë një qëndrim tjetër sepse ata nuk mund të presin që greva të jetë e pa afatë.

Greva është e përgjithshme e shpallur në nivel vendi por ka shkolla me shpresën që do të punojnë dhe ne do të presim deri të dielën për të marrë ata një qëndrim tjetër dhe nuk mund të presim që greva të jetë e pa afatë.

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, nga 1 shtatori ka vendosur që të hyjë në grevë të përgjithshme.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk arritën të dakordohen me zyrtarë të institucioneve për kërkesat e tyre.

Përmes saj, mësimdhënësit synojnë të i realizojnë kërkesat e tyre për 100 euroshin dhe miratimin e Ligjit për Pagat. Arsimi është shumë I rëndësishëm për të mos qenë prioritet i Qeverisë, dhe të dy palët duhet të lëvizin nga pozitat aktuale për t’i dhënë mundësi dialogut

Kundër kësaj proteste janë shprehur hapur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në konferencën e 31 gushtit, ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.

Lexo edhe:

Ministri i Financave: Mësimi fillon më 1 shtator – ata që janë në grevë pezullohen nga paga

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Ministri Murati ka thënë se prindërit dhe disa punonjës të arsimit dëshirojnë që mësimi të fillojë më 1 shtator, andaj edhe beson që të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e punës.

“Ata janë të vetëdijshëm që çfarëdo greve që mbahet, fillimisht i dëmton nxënësit, të cilët edhe ashtu e kemi parë në testet ndërkombëtare se nuk qëndrojnë mirë, por dëmton financiarisht edhe vetë grevistët që nuk paguhen për ditët që janë në grevë”.

Në anën tjetër, MASHTI përmes një njoftimi në media ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Në Ligjin për greva në Kosovë thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Aty po ashtu përmendet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, por se ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është vendim i kundërligjshëm./Shqip.com