Lajme

Maqedonia e Veriut ulë akcizën dhe TVSH-në për karburante

Maqedonia e Veriut.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten ka miratuar masat për përballje me krizën ekonomike, ligjin për uljen e akcizës për karburantet që merr shteti nga shitja e karburanteve, si dhe ligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet, nga 18 në 10 për qind.

Gjatë kësaj seancë është miratuar edhe ligji për uljen e TVSH-së për ushqimit bazë në 0 për qind.

Lexo edhe:
Ulja e akcizës dhe TVSH-së për naftën ul direkt buxhetin e shtetit

Ligjet janë miratuar me 95 vota nga deputetët e të gjitha partive politike.

Masat parashohin mbajtjen nën kontroll edhe të çmimit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes qendrore si dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka vendosur të ndalojë për dhjetë ditë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.

Nga Qeveria kanë thënë se vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.

Lexo edhe:
Maqedonia Veriore ndalon eksportin e disa mallrave ushqimore

Qeveria ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe misrit. Vetëm në mullinjtë privatë besohet të ketë 50 mijë tonë grurë, mbi 10 mijë tonë misër dhe mbi 8 mijë tonë elb.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar rreth 3 mijë e 800 tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Maqedonia e Veriut – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Serbia, Kroacia, Austria, Hungaria./Shqip.com