Lajme

Maqedonia Veriore ndalon eksportin e disa mallrave ushqimore

Vaji

Qeveria e Maqedonisë Veriore ka ndaluar eksportin e mallrave të caktuara ushqimore.

Këtu përfshihet eksporti i grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit si dhe vajrave.

“Vendimi është marrë si masë paraprake për të shmangur veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për të mbrojtur prodhimin vendor, tregun vendor dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Nga Qeveria kanë thënë se vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.

Serbia ka njoftuar se ka ndaluar eksportin e grupit dhe miellit për vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ishte në pritje të importit të rreth 50 mijë tonëve grurë dhe miell.

Qeveria ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe misrit. Vetëm në mullinjtë privatë besohet të ketë 50 mijë tonë grurë, mbi 10 mijë tonë misër dhe mbi 8 mijë tonë elb.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar rreth 3 mijë e 800 tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Maqedonia e Veriut – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Serbia, Kroacia, Austria, Hungaria./Shqip.com