Malisheva kthehet me tri pikë nga udhëtimi te Dukagjini

Malisheva ka fituar në udhëtim te Dukagjini me rezultat 1-0, në ndeshjen e pare të edicionit 2023/24 në Superligën e Kosovës.
Ndeshja nisi shumë mirë për mysafirët, që ia dolën të tundin rrjetën e skuadrës nga Klina nëpërmjet Altin Aliut, që u asistua prej Drilon Hazrollajt, por që u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Malisheva krijoi një rast ideal edhe në minutën e 42-të, mirëpo Kenan Haxhihamza bëri një pritje bravuroze.
Mysafirët nuk u ndalën me raste të mira për gol, ndërsa goditjen e Hazrollajt (43’) e ndali shtylla.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për Malishevën, pasi në minutën e 46-të, Arlind Veliu shënoi për 1-0.
Rastin më serioz në ndeshje për Dukagjinin e kishte Marclei Santos, por në vend ishte Flamur Gashi (50’).
Altin Mërlaku goditi nga afërsia në minutën e 90+2-të, por Flamur Gashi ishte edhe njëherë heroi i Malishevës, që mori pikët e plota në fund.
/Shqip.com