Ukraina nuk e dorëzon Mariupolin, edhe pas ultimatumit rus

Ukraina ka refuzuar ultimatumin rus që u ofron njerëzve në qytetin e rrethuar të Mariupolit kalim të sigurt nga porti nëse dorëzohen.

Sipas propozimit të Rusisë, civilët do të lejohen të largohen nëse mbrojtësit e qytetit do të dorëzojnë armët.

Por Ukraina ka refuzuar, duke thënë se nuk kishte asnjë dyshim për dorëzimin e qytetit strategjik port, raporton ‘BBC‘.

Rreth 300,000 njerëz besohet se janë bllokuar atje me furnizimet që po mbarojnë dhe ndihmat nuk lejohen të hyjnë.

Banorët kanë duruar javë të tëra të bombardimeve ruse pa energji apo ujë të rrjedhshëm.

Detajet e propozimit rus u parashtruan të dielën nga gjenerali Mikhail Mizintsev, i cili tha se Ukraina kishte kohë deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit – për të pranuar kushtet e tij.

Sipas planeve, trupat ruse do të kishin hapur korridore të sigurta jashtë Mariupolit nga ora 10:00, fillimisht që trupat ukrainase dhe “mercenarët e huaj” të çarmatoseshin dhe të largoheshin nga qyteti.

Pas dy orësh, forcat ruse thonë se më pas do të kishin lejuar autokolona humanitare me ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera të hynin të sigurt në qytet, pasi të përfundonte çminimi i rrugëve.

Gjenerali rus Mizintsev pranoi se një katastrofë e tmerrshme humanitare po shpalosej atje – dhe tha se oferta do t’i lejonte civilët të iknin të sigurt ose në lindje ose në perëndim.

Në përgjigje të ofertës, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se Ukraina nuk do të ndalonte së mbrojturi Mariupolin.

“Nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë dorëzim, dorëzim të armëve,” u tha ajo për gazetën ‘Ukrainska Pravda’.

“Ne do të luftojmë deri në fundin e ushtarëve tanë,” tha Pyotr Andryushenko, i cili është këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit

“Kur ata [forcat ruse] flasin për korridoret humanitare, çfarë bëjnë në të vërtetë? Ata me të vërtetë detyrojnë të evakuojnë njerëzit tanë në Rusi,” tha Andryushenko.

Mariupol është qytet strategjik i shëndrruar në një nga vend betejat më të ashpra, që nga fillimi i luftës.

Forcat ruse nuk kanë arritur akoma që ta pushtojnë, si shkak i rezistimit ukrainas.