Sulmi raketor rus në qytetin Chortkiv plagos 22 persona, njëri prej tyre ishte fëmijë

22 persona –përfshirë një fëmijë 12 vjeçar – janë lënduar nga sulmi i ushtrisë ruse në Chortkiv të Ukrainës.

Sulmi po ashtu ka shkatërruar pjesërisht një objekt ushtarak, ka njoftuar guvernatori i rajonit të Ternopilit, Volodymyr Trush, raporton BBC.

Trush tha se katër raketa kishin goditur qytetin mbrëmë, duke dëmtuar katër ndërtesa banimi.

“Nuk kemi viktima, por 22 persona u dërguan në spital me lëndime, duke përfshirë një fëmijë 12-vjeçar”, tha Trush në një konferencë në internet.

Ai shtoi se raketat janë lëshuar nga një anije luftarake në Detin e Zi.

Tani, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se shkatërroi një “depo të madhe të sistemeve raketore antitank, sistemeve portative të mbrojtjes ajrore dhe predhave të ofruara për regjimin e Kievit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane” gjatë sulmit.

Përndryshe, lufta në Ukrainë ka hyrë sot në ditën e saj të 109-të, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti./Shqip.com