Rrugëtimi i vështirë drejtë Pavarësisë

Kosova Republikë”, për herë të parë u dëgjua në protestat e marsit të vitit 1981, ku mijëra studentë mbushën rrugët e Prishtinës.

Këtu filloi për të mos u harruar kurrë, transformimi politik i Kosovës, që kulmon me shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008.

Rrugëtimi deri në këtë ditë, u përcoll me shumë gjak e vuajtje të popullit për liri e pavarësi.

Gjatë viteve 1944-1966, apo siç njihet ndryshe “Koha e Rankoviçit”, shqiptarët e Kosovës përjetuan shkelje të rënda të drejtave të njeriut, një gjendje të rëndë socio-ekonomike, e shumë veprime të tjera negative.

Për Kosovën gjërat filluan të ndryshojnë, kur në vitin 1974, u miratua Kushtetuta e Jugosllavisë, aty u fitua statusi i autonomisë në kuadër të Jugosllavisë së asaj kohe. Kjo lëvizje, shënoi një kthesë të vogël në avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Paçka se përflitet që kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ishte i mendimit që Kosova duhej të ishte republika e shtatë dhe jo vetëm si krahinë autonome brenda Serbisë, e që nuk u jetësua asnjëherë, për shkak të kundërshtive nga forcat politike serbe.

Çka i parapriu protestave të studentëve në vitin 1981?

Pas vdekjes së Josip Broz Titos, gjendja në Kosovë ndryshoi rrënjësisht. Papunësia kishte prekur majat, rreth 5 herë më e lartë se në Kroaci, e mbi 17 herë më e lartë se në Slloveni.

Protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, që fillimisht u organizuan në numër më të vogël, më 11 mars të vitit 1981, të ndërlidhura me ato të 21 marsit të po atij viti, ishin paralajmërime se situata në Kosovë po vlonte nga përbrenda.

Nëse protesta e 11 marsit kishte grumbulluar qindra studentë që protestuan për shkak të cilësisë së dobët të ushqimit dhe kushteve të dobëta, ajo e 21 marsit e mbështetur edhe nga qytetarët, e ndryshoi historinë e shtetit të Kosovës.

Protestat e pranverës së hershme të atij viti, i hapën rrugën një cikli të ri zhvillimesh, jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Jugosllavinë.

Ndërhyrja brutale e policisë serbe në protestat e marsit, nuk i zmbrapsi shqiptarët, të cilët më 1 dhe 2 prill 1981 u organizuan në të gjitha qytetet e Kosovës, për ta shndërruar pakënaqësinë në karakter gjithë popullor.

Shqiptarët e Kosovës të revoltuar që liria po iu cenohej dita-ditës, për më shumë se 9 vjet nuk po e gjenin formulën e grumbullimit rreth një formacioni politik që do përfaqësonte kërkesat e tyre. Por, kësaj pritje po i vinte fundi.

Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, bashkë me intelektualët e asaj kohe, si: Mark Krasniqi, Aliu Aliu, Jusuf Buxhovi, Xhemajl Mustafa e Milazim Krasniqi, vendosën që përfundimisht ta themelojnë lëvizjen politike, të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pse është i rëndësishëm 2 korriku i vitit 1990?

Shteti i Kosovës është i lidhur ngushtë me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990. E shpallur nga 111 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklarata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën.

Kështu, Deklarata e 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, u hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm (Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, kur edhe u shpall Republika e Kosovës, Referendumit për Pavarësi të vitit 1991, si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992), me të cilat u rrumbullakua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës.

Dhuna në rritje e sistemit policor e ushtarak të Serbisë, gjatë viteve 1990-1997, nuk po përkonte me politikat pacifiste të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Ibrahim Rugovës.

Situata e krijuar e kërkonte një rezistencë tjetër. Kjo u manifestua me daljen në skenë të UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që shtyu UÇK-në të dilte për herë të parë publikisht, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që dolën për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e mësuesit, si ushtarë të UÇK-së.

Aty filloi edhe zyrtarisht lufta, ku masakrat gjenocidale si ajo e Reçakut, Krushës edhe e familjes Jasharaj, bën që bashkësia ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara, të iniciojnë bisedime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, me qëllim ndalimin e dhunës dhe krimit që Serbia po e bënte mbi popullsinë shqiptare.

Më 6 Shkurt të vitit 1999, filluan bisedimet e Rambujes, kur kryediplomat i Grupit të Kontaktit ishte caktuar Kristofer Hill dhe ku pala e Kosovës ishte gjithëpërfshirëse dhe unike në qëndrimin e saj.

Grupi i Kontaktit kishte ofruar një marrëveshje, ku në të cilën kërkohej nga Serbia, largimi i trupave ushtarake dhe mundësia e hyrjes së trupave paqeruajtëse për të garantuar siguri. Këtë marrëveshje e kishte pranuar Kosova, por jo edhe Serbia, duke shtjerrë mundësinë e kompromisit.

Kjo solli edhe nisjen e bombardimeve nga Aleanca Veri-Atlantike – NATO, mbi caqet e ushtrisë serbe.

Më 6 qershor të vitit 1999 u nënshkrua “Marrëveshja e Kumanovës” apo që njihet ndryshe si kapitullimi i Serbisë, duke mundësuar hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Pas shumë viteve vuajtje e sakrificash, Kosova po e frymonte lirinë, të paguar shtrenjtë, me humbje të mijëra jetëve.

Një vend i porsadalë nga lufta, i shkatërruar në aspektin infrastrukturorë e pa institucione të qëndrueshme, u bë subjekt në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Në atë kohë u miratua Rezoluta 1244, e cila obligonte që në Kosovë të kishte një protektorat ndërkombëtar me një mision civil që do të quhej UNMIK dhe misionin ushtarak që do të ishte KFOR-i. Të dy këto misione kishin për qëllim stabilitetin e vendit dhe njëkohësisht formimin e organeve udhëheqëse të Kosovës.

Zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës ishin ato lokale, ku do të organizoheshin nga OSBE-ja, por me ndihmën edhe të faktorit politik të Kosovës.

Liria kishte ardhur, por jo edhe pavarësia

Pas më shumë se 5 viteve, konkretisht më 5 nëntor të 2005, filluan bisedimet e Vjenës, më qëllim që të zgjidhej përfundimisht statusi final i Kosovës. Rrjedhimisht kërkesa e palës kosovare ishte e drejta për shpalljen e pavarësisë.

Në Vjenë të Austrisë, më 10 mars 2007, mbaruan bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve, pa marrëveshje.

Të pranishëm ishin krerët e Kosovës, si: Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë dhe të Serbisë, si: Boris Tadiq, Vojislav Koshtunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.

Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje, derisa njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës, do t’i dërgohej Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzoi OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, më 15 mars 2007. Plani direkt propozonte pavarësi për Kosovën.

Momentit historik tashmë i kishte ardhur fundi.

Ishte ora 15:00 e 17 shkurtit të acartë të vitit 2008, kur në një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, deklarata e pavarësisë së Kosovës, e lexuar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më 18 shkurt 2008, presidenca e BE-së njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, u vendos që vendet anëtare të ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, vazhdojnë të kundërshtojnë.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës, rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Kosova sot po shënon 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, të njohur nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e vendeve anëtare të OKB-së.

Këto vite tё periudhës sё pavarësisë, për shtetin e Kosovës, janë vite të karakterizuara me shumë zhvillime, shpresë, por edhe me shumë sfida.

Tashmë Kosova ёshtё një vend, i cili, pavarësisht nga e shkuara e vështirë historike, ka sjellë paqe dhe stabilitet nё vend e në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gëzuar Dita e Pavarësisë nga redaksia e Shqip.com