Rama braktis Vuçiqin

Marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Aleksadër Vuçiqit duket se janë në një moment acarues, për shkak të gjendjes në veri të vendit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të barrikadave në veri të vendit.

E kjo kërkesë e SHBA-ve është përkrahur nga Rama.

Rama ka shpërndarë deklaratën e SHBA-ve dhe ka shkruar : Nuk mund të pajtohem më shumë  

me zë të lartë dhe të qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur se serbëve në Kosovë sonte u pret një natë e vështirë.

“Në terren kemi një luftë të ashpër për mbijetesën e një kombi në vatrat e tij, policia e Kosovës, e cila nuk ka të drejtë të jetë në veri, ka të bëjë me përpjekjen për t’i dhënë fund problemit serb në Kosovë, në të cilin Prishtina dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare merr pjesë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar se sot për shkak të situatës në veri të Kosovës ka qenë dita më e vështirë për të që kur ishte president i shtetit dhe që kur ishte kryeministër.

Më tutje Presidenti i Serbisë tha se Beogradi ka sigurinë e EULEX-it dhe KFOR-it se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve në barrikadat në veri të Kosovës.

“Ne kemi garanci nga KFOR-i, Evropa se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve, shpresojmë se do të shkojë kështu. Ne do të vazhdojmë të bisedojmë me ta, kjo është puna jonë, do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. ”, tha presidenti.

Presidenti i Serbisë u bëri thirrje serbëve nga Kosova që të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pasdites së sotme ka vizituar veriun e vendit.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Shqip.com.

“Sot pasdite, kryeministri Kurti ka qenë në Belvedere ku ka vizituar dhe takuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje”, ka thënë Kryeziu për Shqip.com.

Po ashtu,Kryeziu ka bërë të ditur se nga aty Kurti është nisur për në Gjilan ku ka marrë pjesë në prezantimin dhe raportimin e publikut për punën 1 vjeçare të Alban Hysenit.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.