Nënshkruhen tri marrëveshjet në Samitin e Berlinit

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshjet e parapara në Samitin e Berlinit.

Por, cilat janë marrëveshjet që synojnë të përafrojnë vendet e këtij rajoni?

Njëra ndër tri ujditë ka të bëjë me njohjen reciproke të kartave të identitetit, tjetra ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet palëve që e nënshkruajnë.

Marrëveshja e tretë është ajo mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja vendeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar më herët pas takimit në Samitin e Berlinit.

Ajo ka shkruar se i vjen mirë që të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor gjinden në Berlin, një javë pas vizitës së saj në rajon.