Moska thotë që do t’i lejojë ukrainasit të largohen – në Rusi

Zyrtarët ukrainas thanë se një fabrikë buke ishte goditur nga një sulm ajror rus të hënën, përderisa negociatorët e vendit u mblodhën për bisedime me zyrtarët rusë pas raundeve të mëparshme që nuk sollën pushim në konflikt.

Trupat e të paktën 13 civilëve u nxorën nga rrënojat pasi u godit një fabrikë në qytetin Makariv në rajonin e Kievit, thanë shërbimet lokale të urgjencës. Pesë persona u shpëtuan nga 30 që besohej se ishin atje në atë kohë.

Rusia më herët u ofroi ukrainasve rrugë arratisjeje drejt Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë Bjellorusisë të hënën, pasi përpjekjet për evakuim të fundjavës dështuan për armëpushim.

Në qytetin port, jugor, e të rrethuar të Mariupolit, qindra mijëra njerëz mbetën të bllokuar pa ushqim dhe ujë nën bombardimet e rregullta.

Një negociator ukrainas i kërkoi Rusisë të ndalonte sulmin e saj ndaj Ukrainës, për të cilën Kombet e Bashkuara thanë se kishte dërguar 1.7 milionë njerëz të ikin në Evropën Qendrore.

“Brenda pak minutash, ne do të fillojmë të flasim me përfaqësuesit e një vendi që beson seriozisht se dhuna në shkallë të gjerë kundër civilëve është një argument,” tha negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak në Twitter. “Vërtetoni se nuk është kështu.”

Sipas ofertës ruse, një korridor nga kryeqyteti Kiev do të çonte në aleatin e Rusisë Bjellorusia, ndërsa civilët nga Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, do të drejtoheshin në Rusi, sipas hartave të publikuara nga agjencia e lajmeve RIA.