Kryeministri i Belgjikës: Lufta në Ukrainë është e krahasueshme me faqet më të errëta të historisë evropiane

Kryeministri i Belgjikës Alexander De Croo/ Marrë nga CNN

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, agresionin rus në Ukrainë e ka krahasuar me historitë më të errëta evropiane.

Ai ka thënë se pushtimi i Ukrainës është “i krahasueshëm me faqet më të errëta të historisë evropiane dhe se është shqetësuese të shohësh se diçka e tillë mund të ndodhë ende në Evropë, shkruan CNN.

Duke folur të martën në mbrëmje në qytetin belg të Gentit, pas një takimi të rrallë të përbashkët të kabinetit holandez dhe belg, De Croo shtoi se nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës.

“Belgjika ashtu edhe Holanda do të bëjnë përpjekje për të siguruar që gjithçka të dokumentohet”, me shpresën se “mund të zhvillohen ndjekje penale për historitë e tmerrshme që dëgjojmë për përdhunimet e grave, përdhunimet e vajzave”, tha ai.

Rusia ka mohuar akuzat për krime lufte dhe pretendon se forcat e saj nuk synojnë civilët.

Iryna Venediktova, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, tha javën e kaluar se zyra e saj po hetonte 5,800 raste të krimeve të dyshuara ruse të luftës, me “gjithnjë e më shumë” procedura që hapeshin çdo ditë.

De Croo tha se qeveria belge po mbështeste Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Komisionin Hetimor të krijuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe po “duket të jetë në gjendje të dërgojë ekspertë mjeko-ligjorë” në Ukrainë.