Hoxhaj: Pagat të dalin, ndëshkimi i Kurtit i shëmtuar sepse të gjithë ishin në grevë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke i ndëshkuar mësimdhënësit.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj tha se ndëshkimi i Kurtit për mësimdhënësit është i padrejtë sepse të gjithë ishin në grevë.

“Ndëshkimi i Albin Kurtit është kaq i padrejtë dhe i shëmtuar sa që edhe pse të gjithë ishin në grevë, mësimdhënësit nuk morën fare pagat, ndërsa punëtorët e administratës po”, shkroi Hoxhaj.

Hoxhaj tha se zbatimi selektiv i ligjit ndodhur kur ka sistem autoritar dhe të padrejtë.

“Zbatimi selektiv i ligjit ndodh kur sistemi është autoritar, i padrejtë, si marrëdhënie e nënshtrimit dhe ndëshkimit të njeriut nga një njeri”.

Nënkryetari i PDK-së, ka kërkuar nga Qeveria që t’i ekzekutojë pagat jo më larg se sot.

“Qeveria të ekzekutojë pagat SOT sipas shembullit të administratës, ligjeve vendore dhe normave demokratike ndërkombëtare! Qeveria të udhëhiqet nga virtyti politik, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes brenda tyre, që është zëri i mësimdhënësve”.

Kujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve nuk ka proceduar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit në Kosovë.

Kjo ka ngjallur pakënaqësi në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës si dhe edhe në opozitë.

Po ashtu, kundër këtij vendimi që të mos ekzekutohen pagat për mësimdhënësit që kanë qenë në grevë, kanë dal edhe disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në pushtet.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të hënën ka deklaruar se do të presin Qeverinë deri me datë 5 tetor, në të kundërtën do të jenë të detyruar të veprojnë ndryshe. Ai theksoi se veprimet mund të jenë edhe më të rënda nga ana e SBASHK-ut, në rast se pagat nuk ekzekutohen.