Hill: Serbia ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it, por nevojitet një zgjidhje politike

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, me rastin e njoftimit nga Beogradi se Serbia pas seancës së sotme do t’i paraqesë kërkesë KFOR-it për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, deklaroi se Serbia ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it, por se është e nevojshme një zgjidhje politike.

“Kjo është një çështje që mbetet politike dhe prandaj kërkon zgjidhje politike. Unë nuk shoh mundësinë e një zgjidhje ushtarake,” tha Hill.

Ajo që duhet të bëjmë, shtoi ambasadori amerikan, është të qetësojmë situatën dhe të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë zonë.

“Njerëzit që jetojnë atje mund të kenë pritshmëri të qarta se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen, dhe kjo mund të arrihet përmes themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe”, beson ai.

Hill kujtoi se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar e bëri të qartë të mërkurën se kjo është diçka që do të ndodhë.