Çitaku: Në raport me Serbinë, PDK-ja nuk dëshiron që Kurti të dështojë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku ka reaguar para takimit që pritet të ndodhë gjatë ditës së nesërme midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me krerët e partive opozitare.

Çitaku ka thënë se në raport me Serbinë, PDK-ja nuk dëshiron që Kurti të dështojë

“Kosova është atdheu ynë i përbashkët. E Kosova sot po kalon ditët më të rënda që nga shpallja e pavarësisë. Me Albin Kurtin nuk pajtohemi pothuajse për asgjë. Madje nuk pajtohemi as me menaxhimin e situatës këto ditët e fundit. Megjithatë, për ne, si parti politike shtet ndërtuese, Kosova vjen para kalkulimeve të ngushta elektorale. Në raport me Serbinë, ne nuk duam që Kryeministri i Kosovës të dështojë” ka shkruar Çitaku.

Sipas nënkryetares së partisë më të madhe opozitare, Kurti duhet të debatojë për krizën energjetike, për rritjen e çmimeve, për ligjin e pagave e për shumë e shumë çështje tjera.

“Ne duam që me KM Kurti të debatojmë për krizën energjetike, për rritjen e çmimeve, për ligjin e pagave e për shumë e shumë çështje tjera. Në raport me politikën e jashtme, e posaçërisht në funksion të fuqizimit të Kosovës, ne të gjithë duhet të synojmë konsenzusin.  Nuk duhet t’i replikojmë modelet e kaluara të opozites.Duhet jo vetëm të komunikojmë, por edhe të koordinohemi me aleatët tanë. Pa aleat e pa miq është e vështirë” ka thënë Çitaku.

Takimi midis Kurtit dhe partive opozitare pritet të mbahet nesër në mëngjes.