Lajme

Lirohen nga paraburgimi tri infermieret që rrahën të moshuarën në Pejë

Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret që rrahën një të moshuar në Pejë.

Kështu është bërë e ditur nga Gjykata Supreme për SHQIP.com.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojme se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj”, ka deklaruar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban të moshuarën nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Në video shiheshin edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Lexo edhe:
I revokohet licenca qendrës “Orenda” në Pejë ku u rrah e moshuara

Kujtojmë se Oda e infermierëve të Kosovës ka njoftuar se ua ka hequr licencat e punës katër infermiereve të cilat ishin të përfshira në rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.

Lexo edhe:
U hiqet licenca katër infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës

Ndërsa, Shtëpia për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku ka ndodhur ngjarja, është mbyllur zyrtarisht nga institucionet. 

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

/Shqip.com