Lajme

Lirimi i infermierëve, reagon vajza e të moshuarës: Gjykata ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time

Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret që rrahën një të moshuar në Pejë.

Për këtë ka reaguar, vajza e të moshuarës, Zhaneta Nura, e cila tha se vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës vetëm sa e ka thelluar plagën.

“Vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës, plagën tonë në zemër vetëm sa e ka thelluar.

Shoku i shkaktuar nga pamjet e dhunës që i ushtrohet nënës time, për ‘Gjykatën Supreme’ paska qenë lehtë i gëlltitshim dhe me këtë veprim kjo gjykatë ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time!”, shkruan Zhaneta.

Lexo edhe:
Lirohen nga paraburgimi tri infermieret që rrahën të moshuarën në Pejë

Ndryshe, Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret që rrahën një të moshuar në Pejë.

Kështu është bërë e ditur nga Gjykata Supreme për SHQIP.com.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojme se Kolegji gjyqesor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si te bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë te mbrojtësit të pandehurës A.R., avokatit Blerim Ademaj”, ka deklaruar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, një infermiere në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban të moshuarën nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.

Në video shiheshin edhe dy infermiere të tjera dhe një tjetër po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia e saj sulmon gruan e moshuar.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

/Shqip.com