Lajme

LDK kritikon VV-në: Kandidimi i Vitisë për kryetar të Prishtinës – papërgjegjësi

Foto; EO

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje duke e quajtur të papërgjegjshme pasi zyrtarizoi ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Sipas kësaj partie politike, është shqetësuese që kreu i dikasterit të shëndetësisë të angazhohet në një aktivitet tjetër kur vendi po përballet me “situatë të rëndë nga pandemia COVID-19”.

“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga ministri i Shëndetësisë, i cili sipas informatave edhe zyrtarisht do jetë kandidat për Komunën e Prishtinës”.

“Në një moment të tillë personi kyç në këtë ministri do të jetë pjesë e fushatës dhe do përkushtohet edhe pozicionit të ri nëse zgjidhet. E shohim tejet shqetësues këtë”, tha në një konferencë për media nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi.

Ajo kritikoi Qeverinë edhe për masat e fundit anti-COVID’19, të cilat hyjnë në fuqi nga 20 gushti, duke thënë se janë të vonshme.

Sipas saj, Qeveria Kurti po keqmenaxhon situatën me pandeminë.

Mjekiqi më tej shtoi se pavarësisht situatës dhe rritjes së rasteve me Coronavirus deri tani janë vaksinuar vetëm 10 për qind e popullatës.

“Të dhënat janë tejet të ulëta në vaksinim në krahasim vendet e rajonit”, tha ajo.

Ndryshe, Arben Vitia tashmë është zyrtarisht kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryetarit të Prishtinës. Kjo është konfirmuar edhe nga Feim Tahirsylaj, këshillar për media i kryeparlamentarit, Glauk Konjufca./SHQIP.com