Lajme

Kusari-Lila: Pozita e mundësoi Komisionin Hetimor ndaj Martin Berishaj

Kryetarja e grupit të VV-së, Mimoza Kusari-Lila
Kryetarja e grupit të VV-së, Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Komisionin Hetimor ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt e ka mundësuar pozita.

Në fjalën e saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila tha se në komision janë bërë pytje nga opozita që janë me rezultat ‘zero’.

“Sa i përket rastit të ambasadorit Berisha, me lejoni të ju rikujtoj se pozita nuk e ka parandalu punën e komisionit, pozita e ka mundësu. Pa pozitën, nuk keni mundur asnjë mbledhje të vetme e me e mbajt se nuk keni pasur korum. Merreni lexojeni transkriptin e intervistimit të ambasadorit Berishaj në Komision Hetimor. Ju keni bërë pyetje dhe çfarë ka dal prej pyetjeve është zero. Tash na akuzoni neve!”, tha Kusari-Lila.

Shefja e LVV-së, tha se opozita nuk ka ndonjë argument lidhur me Martin Berishajn, po po e përdor si argument kundër Qeverisë së Kosovës.

“Asnjë përpjekje me të vogël nuk kemi bërë as me e ndalu atë raport dhe as me e ndalu intervistimin e Berishajt, krejt i keni pasur përpara dhe iu nuk po mundeni të nxjerrni argumente se argumenti i vetëm i juaji është kundër Qeverisë së Kosovës dhe jo për të vërtetën dhe drejtësinë”.

Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një aksion në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Lexo edhe:
PDK vendos fotografinë e Martin Berishajt përpara ulëses së Kurtit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka vendosur fotografinë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Kjo fotografi, mbanë mbishkrimin “Unë i besoj Martin Berishajt” dhe është vendosur përpara ulëses së Kurtit.

Kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi ka thënë se skandalin e Martin Berishajt e kanë karakterizu dy gjëra diametralisht të kundërta.

Vitin e kaluar, mediat sllovene raportuan për skandalin e madh financiar në të cilin është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn që fiks 273 ditë që dy gjëra diametralisht të kundërta e kanë karakterizu këtë skandal. Për nëntë muaj, raportimet për aferën e Martin Berishajt kanë ardhur duke u shtuar, fakte duke u zbulu dhe dyshimet duke gjete rrugë deri tek Kurti dhe LVV. E dyta, reagimi institucional nga presidentja, kryeministri e ministrja e Punëve të Jashtme në shpërputhje me seriozitetin e këtij rasti kanë ardhur duke u zvogëluar”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se heshtja e krerë të shteteve e konfirmon përfshirjen e tyre në këtë skandal.

Tutje, Krasniqi tha se kryeministri i Kosovës duhet të vijë në Kuvend dhe të iu përgjigjet disa pyetjeve lidhur me këtë skandal.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka këruar shkarkimin e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Sot në këtë Kuvend kam dy kërkesa – shkarkim për të parin dhe mbajtje përgjegjës për secilin të ndërlidhur me të, kërkim falje për lartnimin e një krimineli të luftës nga kryeministri Kurti. Kosova meriton më mirë, Kosova meriton më shumë”, deklaroi ai.

Kujtojmë se dje , ambasadori Berishaj ka reaguar lidhur me pretendimet ndaj tij.

Berishaj tha se të gjitha akuzat janë të pabaza dhe tendencioze si dhe ai nuk ka të bëjë fare me to.

Lexo edhe:

Reagon sërish Martin Berishaj, demanton lajmet rreth aferës

Kujtojmë se para disa muajsh, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Ndaj Berishajt ishte ngritur kallëzim penal i cili ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.

Lexo edhe:

Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Shqip.com në prill të vitit të kaluar pati raportuar se Berishaj posedon aksione në dy kompani të cilat zhvillojnë biznes në Kosovës.

Por, këto biznese ku Berishaj është aksionar, nuk i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shqip.com kishte kontaktuar agjentin e regjistruar të firmës Zaslon Kosova L.L.C, Albert Hajrizaj, i cili ka thënë se kompania në fjalë është formuar në vitin 2008 dhe që nga ai vit nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet.

Lexo edhe:

(Dokument) Berishaj nuk i ka deklaruar aksionet e dy kompanive vendore

‘’Kjo kompani është hapur në vitin 2008, kjo kompani vetëm është hapur dhe është mbetur nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet’’ ka thënë nga kjo kompani për Shqip.com

Katër muaj pas, Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

/Shqip.com