Lajme

Reagon sërish Martin Berishaj, demanton lajmet rreth aferës

Ambasadori Martin Berishaj
Ambasadori Martin Berishaj

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit është lakuar nën dyshimet për krime financiare, së fundi ka dal me një deklaratë publike.

Përmes një postimi në Facebook, Berishaj mohon të gjitha akuzat ndaj tij.

“Nisur nga pretendimet dhe akuzat e pabaza që janë prezantuar nga disa media në Kosovë, jam i shtyrë që të dal publikisht me këtë deklaratë për qëllim të informimit të saktë të opinionit publik. Që në fillim dua t’ju informoj se nuk jam as pronar dhe as aksionar i asnjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, as në Republikën e Malit të Zi, as në rajon, dhe askund tjetër në botë! Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë”, shkroi Martinaj.

Berishaj flet edhe për ndërmarrjet për të cilat u tha se ai ka bashkëpunim.

“Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022. Ndërsa për dy kompanitë tjera, MB consulting d.o.o. në Mal të Zi, dhe MB consulting sh.p.k. në Kosovë, sqarimi dhe e vërteta është si vijon: MB consulting d.o.o. në Mal të Zi nuk nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2020 dhe mbyllja e saj fizike sipas organeve të Malit të Zi, pas kërkesës sime për mbyllje, ka qenë çështje ditësh, dhe meqenëse bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur aktivitet që nga vitit 2020 dhe ka qenë në proces të mbylljes, nuk ka pasur arsye të deklarohet si prone”.

Ndërsa, për pretendimet se ai është nën hetime në Malin e Zi, Berishaj thotë se nuk është e vërtetë.

“MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë”.

Për shpifjet ndaj tij, ambasadori thotë se tashmë ka ushtruar padi.

“Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor”.

Veç tjerash, ai potencon se nuk ka bërë shmangie tatimore siç edhe thuhet

“Ndërsa sa i përket deklarimit dhe pagesës së tatimeve, kompania MB consulting sh.p.k. ka deklaruar të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi, në Adminsitratën Tatimore të Kosovës. Pagesa e një pjese të detyrimeve është bërë nga kompania që është person juridik, kurse pjesa tjetër vazhdon të paguhen nga kompania që tash është në pronësi të tjetërkujt. Kushdo që kupton nga kontabiliteti, e din që borxhi tatimor nuk ka fare të bëjë me shmangie tatimore, gjë për të cilën po shpifet kundër meje. Prandaj edhe kjo e pavërtetë bie në ujë, sepse asnjëherë nuk ka pasur shmangje tatimore, por bëhet fjalë për borxh tatimor, i cili është deklaruar nga vetë ndërmarrja, dhe vazhdon të paguhet”

Është thënë në media, se Martin Berishaj ka pasur marrdhënie kontraktuale me GEN-in e cila pretendohet se është ndërmarrje serbe. Berishaj thotë se ajo është sllovene.

“Dhe për fund, akuza e insinuata se gjoja kompania GEN-I qenka ndërmarrje serbe, është tërësisht e pavërtetë gjithashtu. Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filalave në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj. Prandaj pretendimi se GEN-I është kompani serbe, është gënjeshtër e pastër, që për qëllim ka mjegullimin e opinionit publik, dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit tim”.

Tutje, Berishaj tha se të gjitha akuzat janë të pabaza dhe tendencioze si dhe ai nuk ka të bëjë fare me to.

Kujtojmë se para disa muajsh, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur hetimet për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.

Ndaj Berishajt ishte ngritur kallëzim penal i cili ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.

Lexo edhe:

Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Shqip.com në prill të vitit të kaluar pati raportuar se Berishaj posedon aksione në dy kompani të cilat zhvillojnë biznes në Kosovës.

Por, këto biznese ku Berishaj është aksionar, nuk i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shqip.com kishte kontaktuar agjentin e regjistruar të firmës Zaslon Kosova L.L.C, Albert Hajrizaj, i cili ka thënë se kompania në fjalë është formuar në vitin 2008 dhe që nga ai vit nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet.

Lexo edhe:

(Dokument) Berishaj nuk i ka deklaruar aksionet e dy kompanive vendore

‘’Kjo kompani është hapur në vitin 2008, kjo kompani vetëm është hapur dhe është mbetur nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet’’ ka thënë nga kjo kompani për Shqip.com

Katër muaj pas, Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

/Shqip.com