Lajme

Kurti thotë se s’ka marrë ftesë nga Borrell për t’u takuar në Bruksel me Vuçiqin

Albin Kurti dhe Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ende nuk ka marr ftesë nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Lajmin e bëri të ditur në konferencën për media të mbajtur të hënën.

“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë”.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për zhvillimet në veri, kreu i qeverisë tha se me Vuçiqin është dashur të takohen më 19 korrik, takim për të cilin Kurti tha se e shtyu presidenti serb.

“Me presidenti Vuçiq është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje, sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret,Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel

Theksojmë se Kurti, në konferencë ka thënë se në momentin që largohen të gjitha barrikadat në veri atëherë do të shtyhet zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat dhe dokumentet.

Lexo edhe:
Kurti: Kur të largohen të gjitha barrikadat në veri, do të shtyhet zbatimi i reciprocitetit me Serbinë

“Qeveria e Kosovës e përsërite zotimin që në momentin që hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej nëntë barrikada në veri të Kosovës dhe presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre”, tha Kurti.

Kreu u qeverisë kosovare tha se masat e vendosura nga Qeveria e tij janë për ligjshmëri dhe rend demokratik.

Në anën tjetër, Sveçla  njoftoi se përveç në Jarinje dhe Bërnjak, në pikat e tjera kufitare po vazhdon lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje.

Ai tha se deri më tash, janë lëshuar 1501 dokumente në pikat kufitare.

Lexo edhe:
Sveçla: 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar dje nga strukturat kriminale në veri

Ministri i MPB-së tha se 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar nga tensionet në veri.

Protesta e serbëve lokalë erdhi një ditë para se të hyjnin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Me kamionë e makineri tjera të rënd, ata i bllokuan rrugët që të çonin në drejtim të pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë./Shqip.com