Lajme

Sveçla: 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar dje nga strukturat kriminale në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar nga tensionet në veri.

Në një konferencë për media, Sveçla tha se janë dëmtuar edhe vetura të qytetarëve dhe policisë nga struktura kriminale serbe.

“Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale, ilegale, të armatosura dhe për këtë Policia ka filluar hetimet. Sipas informacioneve të fundit disa barrikada janë larguar dhe një pjesë e barrikadave ka filluar të largohet”, tha Sveçla.

Ai tha se bashkë me organet e rendit janë duke e mbikëqyrur situatën.

“Bashkë me organet e rendit po punojnë më mbarëvajtjen e këtij procesi. I sigurojmë qytetarët e vendit, që i gjithë ky proces po vijon në bashkërendim të ngushtë mes njësive policore që janë të vendosura në pikat kufitare si dhe në stacionet policore të ngritura nga shteti i Kosovës, dhe e gjithë kjo me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij aktivitetit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë”.

Ndërsa, u shpreh i gatshëm që bashkë me institucionet e Kosovës t’i asistojnë qytetarët që kanë nevojë për informacione shtesë dedikuar këtij procesi.

“Institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme çdo moment që të asistojnë qytetarët që kanë nevojë për informacione shtesë përmes linjë së dedikuar për këtë proces dhe e cila do të jetë e hapur 24 orë”, tha Sveçla”.

Ministri në fund falënderoi partnerët ndërkombëtarë, liderët opozitarë dhe policinë.

Largimi i barrikadave në Rudarë
Lexo edhe:
Kurti: Kur të largohen të gjitha barrikadat në veri, do të shtyhet zbatimi i reciprocitetit me Serbinë

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në momentin që largohen të gjitha barrikadat në veri atëherë do të shtyhet zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat dhe dokumentet.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se heqje të barrikadave e quan atëherë kur nuk mbetë asnjë prej tyre në veri.

“Qeveria e Kosovës e përsërite zotimin që në momentin që hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej nëntë barrikada në veri të Kosovës dhe presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre”, tha Kurti.

Kujtojmë se disa nga barrikadat në veri janë duke u larguar/Shqip.com