Lajme

Kurti takon anëtarët e Bordit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, diskutojnë për finalizimin e sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim me anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të emëruar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit.

Sipas njoftimit, në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe Kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.

Po ashtu Bordi e ka informuar Kurtin për suspendimin nda detyra të Fatmir Plakiqit dhe në vend të tij emërimin e Bujar Kaçurit.

Në këtë takim temë diskutimi ishte finalizmi i sistemit informativ shëndetësorë dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante.

Foto nga takimi

“Duke pasur për qëllim të përbashkët ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, anëtarët e Bordit Drejtues u shprehën se këtij sistemi i paraprijnë hartimi dhe finalizimi i protokolleve klinike, standardizimi i licencimit të profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha finalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante”, thuhet në njoftim.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij bordit u ka ofruar mbështetjen e plotë të Qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni./Shqip.com