Lajme

Suspendohet drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi

Fatmir Plakiqi

Ministria e Shëndetësisë e ka larguar përkohësisht nga detyra drejtorin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqin.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku përmes një konferencë për media.

“Sot mbajmë mbledhjen e bordit të sigurimeve shëndetësore të emëruar nga Qeveria e Kosovës. U zgjodh kryesuesja dhe zëvendëskryesuesja. Në këtë takim me shumicë votash u vendos largimi i përkohshëm i drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi”, tha ajo.

Ajo shtoi se në vend të tij u emërua Bujar Kaqurri.

Lexo edhe:
Fondi për Sigurime Shëndetësore paguan 2.3 milionë euro për dy ditë – Plakiqi nuk është në dijeni

Para disa ditës, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë pasur akuza në drejtim të Plakiqit.

Ndaj tij, pozitë e opozitë kërkuan sqarime rreth shpenzimeve milionëshe dhe pagesat që janë kryer brenda vitit nga ky Fond.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, prezantoi disa pagesa që janë kryer nga ky Fond për spitalet private në Kosovë.

“Krejt e di mirë qysh punon bordi. Qysh ka ndodh ekzekutimi e 2.3 milionë eurove, për dy ditë mjetet janë derdhë për spitalet private në Kosovë. Për spitalin “Olive”, mbi 400 mijë euro, “Medipol Mega” 145 mijë euro, spitali “Eren”, 183 mijë euro e kështu më radhë. Këto janë të dhëna të servuara nga burime të sigurta. Misioni juaj ka qenë vetëm trajtimi jashtë vendit jo sigurime shëndetësorë brenda vendit. A keni partner strategjik për trajtimin e pacientëve jashtë vendit”, tha Dreshaj.

Por për këto shpenzime që i paraqiti Dreshaj, nuk ishte në dijeni Plakiqi.

Ai deklaroi sot se Kosova ka fonde të pashfrytëzuara në vlerë prej 1.4 milionë euro.

Sipas tij, ka shumë borxhe potenciale, por shtoi se Fondi ka rreth 2 milionë euro para të gatshme në llogari për t’i paguar ato por që sipas tij, nuk ka asnjë vendim zyrtar nga institucionet për borxhe.

Këto deklarata Plakiqi i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Tutje Plakiqi i ka quajtur spekulime hulumtimet e bëra në medie para pak javësh lidhur me keqpërdorimet në këtë Fond.

Plakiqi ishte emëruar drejtori i Fondit për sigurime shëndetësore sa ishte Uran Ismaili ministër i Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, ai për pesë vite ka qenë drejtor i Thesarit dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore.

Para saj ai ka shërbyer edhe si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës dhe drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës./Shqip.com