Lajme Ballkan

Kurti: Shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për sanksionimin e grupeve kriminale në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, u shpreh se është shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq dhe grupit të tyre kriminal, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në Veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.

Lexo edhe:
Kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq që SHBA u vendosi sanksione

“Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, shkroi ndër tjerash Kurti.

Sipas tij, ky vendim i SHBA-së, vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës para disa javësh në Mitrovicën Veriore, kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

Lexo edhe:
Vuçiq: Organet do të hetojnë gjithçka nëse ekzistojnë akuza ndaj Veselinoviq dhe Radoiçiq

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shkroi tutje Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Lexo edhe:
Blinken: Vendosja e sanksioneve ndaj grupeve kriminale është prioritet i sigurisë kombëtare

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./SHQIP.com