Lajme Ballkan

Blinken: Vendosja e sanksioneve ndaj grupeve kriminale është prioritet i sigurisë kombëtare

Sekreati amerikan, Anthony Blinken

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, tha se vendosja e sanksioneve ndaj krerëve të krimit të organizuar në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq dhe anëtarëve të bandës së tyre, është prioritet i sigurisë kombëtare për të luftuar korrupsionin.

Përmes një postimi në Twitter, Blinken theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve të lidhura me aktivitetet e krimit të organizuar transnacional në Evropë dhe në Hemisferën Perëndimore.

Lexo edhe:
Kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq që SHBA u vendosi sanksione

“Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj 16 individëve dhe 24 subjekteve të lidhura me aktivitetet e krimit të organizuar transnacional në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore. Është një prioritet i sigurisë kombëtare për të luftuar korrupsionin, i cili lehtëson krimin e organizuar transnacional”, shkroi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Lexo edhe:
SHBA sanksionon Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij për krim të organizuar në veri

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.