Lajme

Kurti në NATO: Në një anë kemi shtetin demokratik të Kosovës, në anën tjetër strukturat ilegale të Serbisë

Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri, Albin Kurti ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.

Kurti gjatë kësaj konferencë ka falënderuar NATO-n për angazhimin e saj në Kosovë, derisa ka kërkuar anëtarësim në këtë aleancë.

“Ne kërkojmë anëtarësimin në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që shtetet tjera na kanë dhënë neve si qytetarë”, ka thënë ai.

Tutje kryeministri ka komentuar edhe situatën me shtetin serb, ku tha se në njërën anë qëndron Kosova si shtet demokratik dhe në anën tjetër strukturat ilegale të Serbisë në veri.

Ai tha se nuk do të këtë tolerim ndaj grupeve të organizuar dhe Kosova do të luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Në një anë keni shtetin demokratik të Kosovës dhe policinë profesionale dhe në anën tjetër keni struktura ilegale të Serbisë që kanë ngritur barrikada. Në këtë sens s’mund të ketë tolerim për krimin e organizuar. Policia jonë ka ndërmarrë 39 operacione ku kanë arrestuar dhjetëra kriminelë të grupeve kriminale, të të gjitha komuniteteve. Policia jonë nuk i zgjedh kriminelët në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Neve na nevojitet përkrahja nga BE dhe NATO dhe nga shtetet perëndimore”, tha Kurti.

Në anën tjetër, Sekretari Stoltenberg tha se NATO në Kosovë është prezent me mbi 4 mijë trupa dhe janë të angazhuar për të parandaluar eskalimin e situatës.

Lexo edhe:
Stoltenberg, Vuçiqit: Do të ndërmarrim çdo masë për ta siguruar paqen në Kosovë

Sekretari i NATO-s tha se forcat e NATO-s do të ndërhyjnë aty ku ka nevojë, nëse situata përshkallëzohet.

“NATO është në Kosovë me mbi 4 mijë trupa kjo demonstron angazhim për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Ne do të përmbushim mandatin e OKB-së në Kosovë. Pjesëtarët e NATO-s janë të pajisur dhe të ushtruar mirë. Ne kemi dëshmuar që ne mund rrisim patrullimet në veri dhe të rrisim numrin e pjesëtarëve. Veprimet tona do të jenë proporcionale dhe do të bëjmë çfarë është e mundur që të parandalojmë eksalimin e situatës”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg ka kërkuar nga lidershipi kosovar si dhe ai serb që problemet t’i zgjidhin përmes dialogut që pritet të mbahet nesër në Bruksel.

Stoltenberg i ka ftuar Kurtin dhe Vuciqin në takim, pas tensioneve në veri të Kosovës, në fund të korrikut të këtij viti.

Lexo edhe:
Vuçiq pas takimit me Stoltenberg: S’më pëlqen t’ia hedh fajin dikujt tjetër

Takimi ndodhi , një ditë para takimit të Kurtit me Vuçiqin, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian./SHQIP.com